Dënohen me kusht të akuzuarit për keqpërdorim të votës

Dënohen me kusht të akuzuarit për keqpërdorim të votës

Gjykata Themelore në Pejë, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të së drejtës së votës, Beg dhe Artan Gashi.

Ata akuzohen se një vepër të tillë penale e kishin kryer në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që ishin mbajtur më 6 tetor të vitit 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Beg Gashi është dënuar me dy vjet burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda afatit prej dy vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale.

Mirëpo, ndaj tij nuk është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të punës së komisionerit në zgjedhjet e ardhshme, edhe përkundër kërkesës së prokurorit, Haxhi Sinanaj.

Ndërsa, Artan Gashi është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda afatit prej një viti, ai të mos kryej vepër tjetër penale.

Pas leximit të aktakuzës në seancës e së hënës nga prokurori Haxhi Sinanaj dhe njoftimit me mundësinë e pranimit të fajësisë nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, dy të akuzuarit Beg dhe Artan Gashi e kanë pranuar fajësinë, duke shprehur keqardhje dhe pendim për veprën e kryer.

Prokurori Haxhi Sinanaj, këtë pranim të fajësisë nga ana e të akuzuarve e ka konsideruar se mbështetët  në provat të cilat i posedon aktakuza.

Në anën tjetër, edhe mbrojtësi i të pandehurit, Beg Gashi, avokati Bajram Lajqi dhe mbrojtësi i të pandehurit Artan Gashi, avokati Veton Berisha, kanë deklaruar se të mbrojturit e tyre e kishin bërë pranimin e fajësisë me vullnet të plotë dhe pa presion.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur me 30 dhjetor 2019, të pandehurit nuk e kishin pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohen.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 nëntor 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Artan Gashi dhe Beg Gashi akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të së drejtës së votës.

Sipas aktakuzës, Beg Gashi akuzohet se më 6 tetor 2019, rreth orës 13:00, në Shkollën e Mesme të Ulët “Dëshmorët”, në fshatin Përqevë të Klinës, në zgjedhjet e përgjithshme, në cilësinë e Komisonerit–Anëtarit të Këshillit të Vendvotimit, i ka mundësuar të pandehurit Artan Gashi, që të votojë në emër të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit i mundëson që me letërnjoftimin e vëllait të tij, Arbon Gashi, të votojë në emër të tij, i cili nuk kishte votuar në ditën e zgjedhjeve, për shkak se jeton në Itali.

Ndërsa, Artan Gashi akuzohet se ka votuar në emër të personit tjetër, në atë mënyrë që i njëjti merr letërnjoftimin e vëllait të tij, Arbon Gashi dhe voton në emër të tij, i cili nuk kishte votuar ditën e zgjedhjeve për shkak se jeton në Itali. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi