Dy vjet burg me kusht ndaj të akuzuarës për pjesëmarrje në grupin terrorist

Dy vjet burg me kusht ndaj të akuzuarës për pjesëmarrje në grupin terrorist

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shqiptuar dy vjet burgim me kusht ndaj të akuzuarës për pjesëmarrje në grupin terrorist, Ajnisha Abazi.

Ky dënim me kusht i shqiptuar ndaj saj nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej tre vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, ka njoftuar se nëse e akuzuara kryen vepër të re penale brenda periudhës së verifikimit, dënimi me kusht do t’i zëvendësohet në atë me burgim.

Përveç dënimit me kusht, e akuzuara është obliguar që të përmbushë detyrimin për vizitë tek psikologu apo këshilluesi dhe që të veprojë në pajtim me rekomandimet e tyre.

Për mbikëqyrjen e zbatimit të dënimit me kusht dhe detyrimit të veçantë të shqiptuar ndaj saj, gjykata ka obliguar Shërbimin Sprovues të Kosovës.

Gjykatësja Musliu-Selimaj ka thënë në rast se e akuzuara Abazi nuk mban kontakte me Shërbimin Sprovues të Kosovës dhe në rast se nuk i përmbush detyrimet, gjykata  do ta bëjë revokimin e dënimit me kusht sipas nenit 55 të Kodit Penal të Kosovës.

E akuzuara Abazi është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale pasi ajo është shfrytëzuese e asistencës sociale.

Ndaj këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditësh nga marrja e tij.

Ndryshe, e akuzuara e kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare që ishte mbajtur më 20 shkurt 2020.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 janar 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ajnisha Abazi për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 23 nëntor 2015, me vetëdije të plotë së bashku me bashkëshortin e saj, Hysri Selimin dhe vajzën e tij, e kanë lëshuar vendbanimin e tyre të përhershëm në Republikën e Kosovës dhe përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kanë udhëtuar për në Stamboll, ku përmes Republikës së Turqisë kanë hyrë në Siri, me qëllim që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS.

Në aktakuzë thuhet se nga kjo organizatë është financuar rregullisht me një shumë të hollash prej 50 euro në muaj, organizatë e cila është shpallur terroriste nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi