I akuzuari nuk e pranon fajësinë për kontrabandim me migrantë
Sharr Travel

I akuzuari nuk e pranon fajësinë për kontrabandim me migrantë

I akuzuari për kontrabandim me migrantë, Shevki Kayslerli, është deklaruar i pafajshëm, në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Pasi është konsideruar e lexuar aktakuza nga prokurorja Sebahate Sinani, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm në këtë seancë, gjykatësi Mustaf Tahiri, e njoftoi atë dhe mbrojtësen e tij, avokaten Kosovare Kelmendi, se seanca e shqyrtimit të dytë në këtë çështje penale nuk do të mbahet.

Gjykatësi Tahiri, shtoi se ata kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me provat apo edhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 23 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Shevki Kayslerli, të cilin e akuzon për veprën penale “kontrabandimi me migrantë”, nga neni 164, paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se më 20 tetor 2019, me qëllim të përfitimit personal, i pandehuri ka tentuar që t‘i kalojë në mënyrë ilegale nga Republika e Kosovës në atë të Maqedonisë, me qëllim të kontrabandimit, të dëmtuarit-shtetasit turk Mehmet Cetin, Abdurrahman Uver, Mehmet Subashi dhe Sabri Emlik.

Sipas aktakuzës, me të njëjtit është marrë vesh që fillimisht me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës, nëpërmes aeroportit të paraqitet si garantues i tyre dhe më pas me veturën e tij, të njëjtit i ka marrë dhe është nisur në drejtim të Hanit të Elezit, me qëllim që të udhëtojnë për në shtetet evropiane, ashtu që me të arritur në pikën kufitare, meqë të njëjtit paraprakisht kanë qenë të dyshuar se po kontrabandohen, janë futur në “Stop-Listë” dhe me këtë rast janë ndalur nga policia kufitare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se për këto shërbime të njëjtit janë marrë vesh që të pandehurit t’i paguajnë shuma të konsiderueshme të parave dhe atë Avdurrahman Uver dhe Mehmet Subashi, shumën prej 6000 euro, e të cilën shumë do t’ia dorëzonin djalit të pandehurit, pasi të kenë mbërritur në shtetet evropiane, ndërsa i dëmtuari Sabri Emlik, shumën prej 1500 euro, me qëllim të daljes në shtetin e Italisë, ku pas hetimit të rasteve edhe të tjera i pandehuri arrestohet. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi