Shtyhet gjykimi ndaj zyrtarëve të Pejës

Shtyhet gjykimi ndaj zyrtarëve të Pejës

Është shtyrë seanca gjyqësore, e paraparë për të martën, ndaj shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Durim Sheremeti, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përveç Sheremetit, në këtë rast akuzohen edhe tre zyrtarë të tjerë komunalë, Gëzim Shala, Gëzim Lajqi dhe Ruzhdi Zhara, si dhe pronari i operatorit ekonomik, Ilir Kelmendi, që akuzohet për mashtrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Arsye për mos mbajtjen e seancës të së martës, ka qenë kërkesa e mbrojtësit të të pandehurit Sheremeti, avokatit Labinot Murati, i cili ka kërkuar kohë shtesë për përgatitjen e mbrojtjes, pasi që  sipas tij, tani ishte angazhuar nga Sheremeti dhe ka nevojë për kohë për t’i shqyrtuar shkresat e lëndës.

Propozimin për shtyrjen e seancës nuk e ka kundërshtuar as prokurori Agron Galani ,me ç’rast kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu e ka aprovuar atë.

Seancat e radhës janë caktuar më 2 dhe 3 prill 2020, nga ora 10:00

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 maj 2019, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11 mijë e 929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte nënshkruar pranimin e mallit në emër të Organit Mbikëqyrës –menaxherit të projektit Faik Zekaj, pa pasur kompetencë për këtë edhe pse me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, menaxher i projektit për këtë tender ishte Faik Zekaj.

Sipas aktakuzës, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.

Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dymijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9.929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9 mijë 929.41 euro.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës i ngarkon zyrtarët komunalë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, se me 19 shtator 2017, si zyrtarë komunalë në Komunën e Pejës, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për makinën e barit, me dashje nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, ata pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9 mijë e 929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9 mijë 929.41 euro.

Kurse, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, ashtu që si pronar  firmës “Green Construcion-Shpk”, duke  paraqitur fakte të rreme të me qëllim të përfitimit ë kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri Kelmendi kishte fituar tenderin nga Komuna e Pejës, ai nuk i përmbahet kushteve të tenderit ku në shënimin e Komunës së Pejës është paraparë vendi i origjinës së makinës të jetë Turqia dhe firma e makinës së barit të jetë prodhuese e “Uçegen Firça”, ashtu që ai nuk e ka sjellë makinën sipas kontratës së firmës “Uçegen Firça”, por të firmës “Alpina”, e cila sipas aktakuzës, makina e barit e sjellë nga i pandehuri ishte me çmim të tregut prej dy mijë euro dhe nuk ka ofruar as dorëzuar dëshmi për blerjen e makinës dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, prej 9.929.41 euro. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi