Drita fiton dhe bëhet lidere
Drita e ka realizuar fitore bindëse në duel me Drenicën në ndeshjen hapëse të xhiros së 20-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.
Gjilanasit fituan me rezultat 4:1, në një ndeshje ku e mbyllën çështjen e fituesit qysh në pjesën e parë, kur i realizuan tre gola.
Kastriot Rexha ka qenë hero i Bardhekaltërve duke i shënuar dy gola.
Fillimisht, sulmuesi i rrezikshëm shënoi pas një asistimi që e mori nga Xhevdet Shabani në minutën e tetë.
Më pas, gabimin e mbrojtjes drenicase e shfrytëzoi Vucaj, i cili asistoi për Rexhën, që e shënoi golin e dytë në minutën e 21-të.
Ndërkaq, golin e tretë dhe të qetësisë për vendësit e realizoi Betim Haxhimusa.
Për mysafirët, golin e vetëm dhe të pamjaftueshëm e shënoi Alban Shillova me kokë në minutën e 61-të.
E gjilanasit e gjetën edhe golin e katërt në kohën shtesë me anë të Izair Eminit.
Drita me këtë rast e barazoi Ballkanin me pikë në krye të tabelës, edhe pse therandasit e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndërkohë, ndeshja tjetër e kësaj xhiroje, e paraparë të zhvillohej sot në mes të Ferizajt dhe Llapit, është shtyrë për shkak të reshjeve të borës dhe do të luhet nesër.























