Real-Barcelona, “El Clasico” edhe për Lautaro Martinez
BKT
Sport

Real-Barcelona, “El Clasico” edhe për Lautaro Martinez

Reali i Madridit dhe Barcelona do të përballen mbrëmjen e sotme në fushë, pro të dy skuadrat pritet të përballen shpesh herë edhe gjatë verës, pasi kanë shumë objektiva të përbashkëta merkatoje, duke nisur nga sulmuesi argjentinas i Interit, Lautaro Martinez.

Ky i fundit ndiqet prej kohësh nga katalanët dhe sponsorizohet edhe nga patrioti i tij, Lionel Messi, ndërsa në kontratën me Interin ka një klauzolë ndërprerjeje nëse paguhet shifra e 111 milionë eurove Brenda dy javëve të para të muajit korrik.

Reali i Madridit duket se është gati të paguajë këtë shifër, madje sipas mediave spanjolle, Perez është gati të ofrojë plot 180 milionë euro, për të marrë nga Milano, bashkë me Lautaron, edhe mbrojtësin sllovak Milan Skriniar.

Kjo pasi vitet kanë filluar të peshojnë mbi shpinën e Sergio Ramos dhe mbrojtësi Brazilian Militao nuk ka bindur aspak gjatë këtij sezon, ndaj Zidane kërkon që me dy yjet zikaltër të kompletojë si repartin e avancuar,ashtu edhe atë të prapavijës.

Nga ana tjetër Barcelona është shfaqur e gatshme të paguajë klauzolën, madje edhe më shumë se aq, por me kushtin që në marrëveshje të përfshihen disa lojtarë që nuk bëjnë pjesë në planet e klubit, si Vidal, Rakitiç apo ndonjë tjetër.

Gjithsesi vlen të theksohet se vera është ende larg, ndaj fokusi primar i dy klubeve është pikërisht sfida e sotme, që është edhe një përballje direkte për titullin kampion, ndonëse ka ende edhe shumë javë deri në fund të kampionatit.