Prokuroria në Gjilan ngritë aktakuzë ndaj zyrtarit policor
Sharr Travel

Prokuroria në Gjilan ngritë aktakuzë ndaj zyrtarit policor

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor Vllaznim Hamdia, duke e ngarkuar atë me tri vepra penale, atë të vrasjes së rëndë, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, si dhe përdorimi i armës apo i mjetit të rrezikshëm.

Ai akuzohet se në orët e hershme të mëngjesit të 29 dhjetorit të vitit të kaluar, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin L.S, pas kacafytjes që kishte nisur mes tyre pas aksidentit në trafik, ku ishin përfshirë një veturë dhe një kamion, ajo e të dyshuarit dhe viktimës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri V.H., më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta të ndjerin L.S., ashtu që derisa ishte duke drejtuar automjetin e tij, pasi arrin në rrugën ‘’NATO 99’’, shkaktohet aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar viktima, tani i ndjeri L.S., me ç’rast pas mosmarrëveshjeve rreth aksidentit me viktimën dhe djalin e viktimës, e nxjerrë armën e zjarrit, ndërsa, pasi viktima hyn në kamion dhe e mbyll derën, i njëjti afrohet tek dera dhe pasi dritarja ishte hapur, gjuan një herë në drejtim të viktimës, ku e godet nën vetullën e syrit të djathtë, i cili për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Tutje sipas njoftimit, thuhet se i njëjti pa autorizim ka mbajtur në posedim edhe dy revole të tjera, të cilat iu janë gjetur në automjetin e tij dhe fikshekë të llojeve të ndryshëm.

“Po ashtu, para rastit të ndodhur, i pandehuri V.H., në një restorant në fshatin Malishevë, gjersa ishte duke dëgjuar muzikë, me armë zjarri ka shkrepur disa herë brenda lokalit”, përfundon njoftimi nga prokuroria në Gjilan.

Ndryshe, i akuzuari Hamdia gjendet nën masën e paraburgimit nga 30 dhjetori 2019, të cilën masë ia kishte caktuar Gjyakata Themelore në Gjilan. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi