Caktohet gjykimi për tenderin e rrobave në Polici

Caktohet gjykimi për tenderin e rrobave në Polici

“Ju njoftojmë se lënda e të akuzuarit J.M gjendet te gjyqtari Beqir Kalludra dhe seanca fillestare është caktuar të mbahet me datë 20 mars 2020 në ora 09.00”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Transmetimi i hulumtimit të ekipit të “Betimi për Drejtësi” për korrupsionin në tenderët e prokurimit në Policinë e Kosovës, ishte bërë shkak që pas një muaji e gjysmë zyrtari policor, Jeton Menxhiqi, të akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Për këtë vepër penale ai pritet të ulet në bankën e të akuzuarve me 20 mars të këtij viti.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, për caktimin e seancës fillestare, e ka dhënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Zëdhënësja Gashi gjithashtu bëri të ditur se kjo lëndë i është ndarë në punë gjykatësit të Departamentit të Krimeve të Rënda, Beqir Kalludra.

Ndryshe, në prill të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton Menxhiqit, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se më 8 Gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës, në Prishtinë, i pandehuri Jeton Menxhiqi, në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, në numër të prokurimit 214/17/048/111, i cili përfaqësonte Drejtorinë e Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që në tenderin “Furnzim me rroba elegante”, i paraparë në vlerë prej 730.000,00 euro, pasi komisioni gjatë punës në përbërje nga i pandehuri Menxhiqi, Sabide Beqiri dhe Naim Lahu, pas kontrollit kishin konstatuar se asnjëri nga operatorët ekonomikë, nga tetë sa kishin konkurruar, nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara në tender.

Gjithnjë sipas aktakuzës, atëherë i pandehuri me qëllim që t’i bënë të mundur operatorit ekonomik “Artius Group SHPK”, që ta fiton tenderin edhe pse nuk i kishte plotësuar kushtet, më 08.08.2017, në ora 12:42, derisa ishte duke qëndruar në një zyre me çelësin mbi tavolinë dhe në mënyrë të kundërligjshme, pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit, e në kohë të pauzës shkon në Zyrën Prokurimit merr paketën e “Artius Gropu”, ndërron mostrat e rrobave elegante dhe i vendos mostrat e tjera të cilat i kishte sjellë nga jashtë me një çantë krahu dhe pas pak e kthen paketën në Zyrën e Prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte vepruar në këtë mënyrë me qëllim që “Artius Group”, të fitonte tenderin në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 506.216.20 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i KPRK-së.

Ndryshe, i pandehuri Menxhiqi, në deklaratën e tij në Prokurori, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij dhe është mbrojtur në heshtje. Ndërsa, sa i përket mbrojtjes së të pandehurit ku i njëjti ka dhënë deklaratë në IPK, në aktakuzë thuhet se ka qenë kontradiktor me vetveten dhe me deklaratat e dhëna nga dëshmitarët e tjerë dhe nuk ka mundur të arsyeton veprimet e tij, respektivisht kërkimi për qëndrim në zyre gjatë pauzës pa arsye, hyrja në zyrën e prokurimit i vetëm, marrja e mostrave të tenderit.

Ndërsa, prokuroria është e bindur se ekziston dyshimi i bazuar mirë dhe posedon prova të pranueshme se vepra penale është kryer nga i pandehuri, i cili mban përgjegjësi sepse ka vepruar me dashje direkte, duke konsideruar se janë manifestuar elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Linku ku mund ta ndiqni emisionin “Betimi për Drejtësi”, lidhur me korrupsionin në tenderët e prokurimit në Policinë e Kosovës, në të cilin ishte transmetuar rasti i keqpërdorimit të detyrës nga polici Jeton Menxhiqi:

Ndryshe, Jeton Menxhiqi njihet si polici, i cili së bashku me zyrtarin tjetër policor, Avni Namani, nën udhëheqjen e prokurorit Kujtim Munishi, kishin hetuar dosjen e manipuluar të provimit ë jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, rast ky që ishte mbyllur për 21 ditë të hetimit preliminar. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi