KGJK dhe KPK me marrëveshje për ndërlidhjen e sistemeve elektronike

KGJK dhe KPK me marrëveshje për ndërlidhjen e sistemeve elektronike

Në kuadër të digjitalizimit të punës në sistemin e drejtësisë, përmes Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi.

SMIL është projekt i përbashkët i KPK-së dhe KGJK-së, i cili financohet nga Qeveria e Norvegjisë, dhe që synon digjitalizimin e plotë të punës në sistemin e drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në kuadër të implementimit të këtij projekti, marrëveshja e bashkëpunimit për ndërlidhjen e sistemeve elektronike të prokurorisë dhe gjykatës dhe për shpërndarjen automatike të lëndëve te prokurorët dhe gjyqtarët është nënshkruar nga kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni dhe kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, në të cilën ceremoni, prezent ka qenë edhe Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni ka thënë se sistemi prokurorial tanimë ka lansuar shkëmbimin elektronik të të dhënave në mes të Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, ku tanimë lëndët dhe shkresat barten në mënyrë elektronike.

Sipas Hysenit, puna elektronike në sistemin e drejtësisë ka benefite të mëdha në kuptim të kursimit të kohës dhe resurseve njerëzore, me ç’rast ndikon në ngritjen e efikasitetit të punës së sistemit të drejtësisë.

Në anën tjetër, kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, ka thënë se tanimë i gjithë procesi i punës menaxhohet në mënyrë elektronike, duke shtuar se ndarja elektronike e lëndëve tek gjyqtarët tanimë ka filluar.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, shkëmbimi elektronik i të dhënave në mes prokurorisë dhe gjykatave është prezantuar në mënyrë praktike nga ana e Udhëheqësit të Departamentit për Teknologji Informative në KPK, Nexhat Haziri.

Me këtë rast, Haziri ka prezantuar mënyrën e funksionimit sistemit elektronik të punës në sistemin e drejtësisë, ku ndër të tjera, ka paraqitur edhe mënyrën e ndarjes automatike të lëndëve tek gjyqtarët dhe prokurorët.

Po ashtu, Haziri ka thënë se gjatë vitit 2019, në kuptim të funksionalizimit të plotë të këtij sistemi, janë trajnuar 395 punonjës të sistemit prokurorial dhe gjyqësor.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi