RTK partner medial i KOK-ut për 4 vjet
Radio Televizioni i Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës e kanë nënshkruar sot kontratën e sponsorizimit për periudhën katërvjeçare. Nënshkrimin e marrëveshjes e kanë bërë drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati dhe presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, derisa të pranishëm ishin edhe drejtori i TV-së, Lorik Arifaj dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje RTK do të jetë sponsor medial i KOK-ut në periudhën e ardhshme katërvjeçare.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes u prononcuan të dyja palët, të cilat theksuan rëndësinë që ka kjo marrëveshje për sportin dhe sportistët.
“Dëshiroj që në emër të KOK-ut të shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes për partneritet, një marrëveshje që vjen si rezultat i një bashkëpunimi afatgjatë të këtyre dy institucioneve, e që sot po kurorëzohet me një marrëveshje konkrete, që pa dyshim do të ndikojë që dy brendet tona të jenë në nivel më të lartë. Duke e ndihmuar njëri-tjetrin ne e m mbështesim sportin, i mbështesim edhe sportistët elitarë por edhe sportistët rekreativ. Pa dyshim RTK-ja në këtë drejtim ka kryer një rol të jashtëzakonshëm në bartjen e vlerave që i ka sporti i Kosovës tek audienca e gjerë, prandaj është momenti që t’u falënderojmë edhe për të kaluarën, por edhe për të tashmen. Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për të prezantuar të gjitha aktivitetet e KOK-ut, por edhe atyre që na mbështesin sepse KOK-u ka nevojë për partnerë të tjerë dhe mënyra e komunikimit të këtij partneriteti më së miri bëhet nëpërmjet RTK-së”, ka theksuar Besim Hasani.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati është shprehur: “Sigurisht se RTK që edhe me ligj është i obliguar që t’i përcjellë dhe t’i përçojë tek shikuesit të gjitha aktivitetet, e në këtë rast kemi të bëjmë me aktivitetet e KOK-ut. Edhe në takimin e parë kur e kemi pasur para shumë muajve me presidentin Besim Hasani dhe sekretarin Shasivar Haxhiaj jemi pajtuar dhe kemi pranuar që të mbështesim të gjitha aktivitetet e KOK-ut. I kemi përcjellë ato që kanë qenë deri më sot në Kosovë dhe do të mundohemi që edhe në të ardhmen t’i përcjellim të gjitha aktivitetet, duke ditur sukseset e sportistëve kosovarë që kanë marrë pjesë në Lojërat Olimpike. RTK me këtë marrëveshje do të ketë privilegjin që të përcjellë dhe të jetë sponsor medial i aktiviteteve por edhe mbështetës i atyre që ndihmojnë sportistët e Kosovës dhe KOK-un. Pra, për 4 vitet e ardhshme RTK do të jetë afër jush dhe afër sportistëve të Kosovës, të cilëve nuk po u mungon suksesi për çka unë si drejtor i përgjithshëm dhe RTK si institucion jemi krenarë”.

























