Tommasi, skeptik: Seria A nuk rinis brenda prillit, të shtyhet Evropiani
Presidenti i Shoqatës së Futbollistëve Italianë, Damiano Tommasi, deklaroi për RAI-n se nuk pret që kampionati i Serisa A të nisë brenda prillit, duke iu referuar faktit që shumë skuadra janë në karantinë për shkak të Coronavirusit.
“Në Itali planifikojmë të kthehemi të luajmë më 5 prill, por është qartësisht e pamundur. Shpresa është në maj ose qershor, nëse do të jetë situata në rregull. Por, më kryesorja, tani për tani, është të qëndrojmë në shtëpi. Duam të mbrojmë shëndetin e sportistëve. Juventusi ka sot ka 100 njerëz në karantinë. Tani për tani, detyra e lojtarëve është ajo e çdo qytetari tjetër. Kushtëzimi i tyre për të mos lëvizur nga shtëpia është detyrim”.
Ish-lojtari i Romës dhe i përfaqësueses së Italisë kërkon gjithashtu, që të shtyhet “Euro 2020”: “Shpresojmë që UEFA ta mirëkuptojë shtyrjen e Kampionatit Europian. Ajo duhet të ndihmojë ligat për të përfunduar kampionatet e tyre, duke u sjellë si një komunitet europian. Ne jemi një hallkë e zinxhirit dhe problemet e një kampionati zbatohen për të gjithë”.























