AS: Reali konfirmon Zidane-n, gati revolucioni në skuadër
BKT
Sport

AS: Reali konfirmon Zidane-n, gati revolucioni në skuadër

Ndërkohë që në të gjithë Europën është hapur një ‘casting” për pasuesin e Zidane në pankinn e Realit të Madridit, e përditshmja spanjolle “AS” ka zbuluar sot se presidenti Florentino Perez ka vendosur t’i besojë francezit edhe për sezonin e ardhshëm.

Sipas gazetës pranë klubit madrilen, Zinedine Zidane do të mbetet në bankinën e “Los Blancos” edhe për sezonin e ardhshëm, qoftë edhe nëse nuk do të arrijë të fitojë asgjë këtë sezon, ndërsa drejtuesit po përgatiten për një revolucion të vërtetë në organikën e ekipit.

Kështu emra si Gareth Bale, Odriozola, James Rodriguez, Mariano Diaz e Luka Joviç, të cilët kanë gjetur pak hapësira në formacion dhe nuk bëjnë pjesë në planet e Zinedine Zidane, pritet të lënë Madridin këtë verë, për të sjellë para kesh në arkat e klubit.

Nga ana tjetër trajneri francez do të duhet të analizojë me vëmendje edhe ecurinë e lojtarëve që Reali ka dhënë në huazim, si Lunin, Ashraf Hakimi, Reguilon, Oscar Rodriguez, Odegaard, Dani Ceballos, Kubo e Borja Mayoral.

Një pjesë e këtyre mund të rikthehen në Madrid në verë, ndërsa të tjerët do të provohet të shiten përfundimisht, për të sjellë në arkat e klubit sa më shumë para dhe për të provuar afrimin e lojtarëve që Zidane ka më për zemër.

Bëhet fjalë për dy kampionët e botës, Paul Pogba dhe Kylian Mbappe, të cilët u kërkuan nga Reali që verën e kaluar, por për arsye të ndryshme marrëveshjet nuk u mbyllën me sukses, ndërsa gjithçka do të provohet këtë verë.

Të dy futbollistët mund t’u kushtojnë arkave të Realit të Madridit rreth 400 milionë euro, një pjesë e mirë e të cilave pritet të rikuperohet nga shitja e lojtarëve në pronësi të klubit, por që nuk bëjnë pjesë në projektin për të ardhmen.