Mali i Zi: Pesë raste të reja me koronavirus

Mali i Zi: Pesë raste të reja me koronavirus

Të hënën mbrëma në Mal të Zi u konfirmuan edhe pesë raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 27 numrin e të infektuarve. Tre prej të infektuarve janë të lidhur me rastet ekzistuese, kurse dy janë raste të rinj.

Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi, bëritë ditur se janë analizuar 19 kampione, ndërkohë gati 6 mijë persona janë nën mbikëqyrjen mjekësore dhe sanitare, kurse 800 persona gjenden në karantinat institucionale.

Ndërkohë një 65 vjeçar u bë viktima e parë e koronavirusit në Mal të Zi.

Autoritetet thanë se viktima, nga qyteti Herceg Novi, ishte shtruar në spitalin infektiv të Qendrës Klinike të Malit të Zi.

Sipas mjekëve 65 vjeçari kishte sëmundje shoqëruese dhe se gjatë këtij muaji kishte qëndruar në Serbi ku, sipas tyre, edhe u infektua.

Autoritetet malazeze kanë kërkuar që të zbatohen rregullat e miratuara nga Trupi Bashkërendues Kombëtar për Sëmundjet Infektive.

Ministri i mbrojtjes, Predrag Boshkoviç tha se ka pasur mosrespektim të disa masave dhe kërkoj që të respektohen deri në përpikëri rregullat e miratuara.

“Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme varet nga sjelljet e qytetarëve dhe nga fakti se sa do të respektohen masat e përcaktuara për mbrojtjen nga koronavirusi”, tha Boshkoviç.