Kapiteni i Kosovës: U hodh poshtë fjala e popullit!

Kapiteni i Kosovës: U hodh poshtë fjala e popullit!

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, qendërmbrojtësit Amir Rrahmani ka reaguar nëpërmjet postimi pas zhvillimeve të fundit politike në vend, ku deputetët votuan me shumicë shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti.

Lojtari i Hellas Verona, i cili në verë do të kalojë te Napoli, e që tash e dy javë ndodhet i vetmuar në izolim për shkak të koronavirusit, e konsideron të pakuptueshme atë që ndodhi një ditë më parë në Kosovë.

“Asnjëherë nuk jam marrë me politikë, por në një situatë pandemie të kenë më shumë rëndësi interesat personale se sa shëndeti i kosovarëve, nga të cilët nesër do të kërkojnë votën prapë, është e pakuptueshme.

Edhe sa duhet te presim që Kosova të bëhet një shtet evropian? Si çdo kosovar, edhe unë dua që shteti im të përparojë, që të kemi një jetë më të mirë të gjithë sepse një ditë edhe unë dua të kthehem dhe të jetoj aty. Është vendi i ynë. E DUA.

Njeriu që ka marrë vota nga populli më së shumti në 15 vitet e fundit, BIE. Bie edhe fjala e popullit”, përfundoi shkrimin e tij kapiteni kosovar”, shkruan Rrahmani, i cili postimin e tij e shoqëron edhe me një foto, ku bëhen një krahasim i Kurtit me personalitete si Hasan Prishtina dhe Fan Noli.