Gjykata Kushtetuese pranon ankesat e qytetarëve, gjyqtarët i trajtojnë ato

Gjykata Kushtetuese pranon ankesat e qytetarëve, gjyqtarët i trajtojnë ato

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë masat parandaluese pas përhapjes së rasteve të para të pandemisë të virusit Covid-19, në përputhje me rekomandimet e Qeverisë për parandalimin e virusit Covid-19.

Gjykata Kushtetuese ka vazhduar punën me staf të reduktuar, me qëllim që qytetarëve të mos iu mohohet e drejta e paraqitjes së ankesave kushtetuese.

Ky institucion i cili mbron të drejtat e njeriut nga veprimet e organeve shtetërore, edhe gjatë kohës së pandemisë është duke pranuar kërkesa dhe ankesa kushtetuese nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Për funksionimin e përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, për “Betimi për Drejtësi”, ka njoftuar drejtori i zyrës për komunikim dhe informim, Veton Dula

“Në përputhje me rekomandimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionimin e institucioneve shtetërore pas pandemisë Covid-19, Gjykata Kushtetuese ka vazhduar punën me staf të reduktuar, por me orar të rregullt pune, me qëllimin e vetëm që qytetarëve të mos iu mohohet e drejta e parashtrimit të ankesave kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e drejtorit Dula.

Ndër të tjera, për të bërë trajtimin dhe vendosjes e ankesave të qytetarëve, ai ka thënë se gjyqtarët janë duke punuar nga shtëpitë e tyre

“Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, së bashku me këshilltarët kushtetues juridik, janë duke vazhduar punën në trajtimin e rasteve nga shtëpitë e tyre dhe duke respektuar procedurat e parashikuara me Rregulloren e punës. Gjykata tashmë ka filluar edhe me mbajtjen e seancave shqyrtuese virtuale.”, ka thënë Dula.

I njëjti gjithashtu bëri të ditur se objekti i Gjykatës Kushtetuese është dezinfektuar, ndërsa prej 16 marsit e deri më 23 mars, nga kjo gjykatë janë publikuar 6 aktvendime dhe 2 vendime, ndërsa janë pranuar 3 kërkesa kushtetuese. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi