Maqedoni e Veriut, dy viktima të tjera nga koronavirusi

Maqedoni e Veriut, dy viktima të tjera nga koronavirusi

Edhe dy viktima janë shënuar nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut në 24 orët e fundit duke e çuar në nëntë numrin e vdekjeve nga kjo sëmundje. Njëri nga viktimat ishte një 45 vjeçar nga Kumanova, i cili së pari ishte shtrirë në spitalin e Kumanovës dhe më pas ishte transferuar në Shkup.

Atij nuk ia kishte shpëtuar jetën as reanimacioni në Klinikën e sëmundjeve infektive. Pacienti tjetër është një 78 vjeçar që kishte pasur një histori sëmundjesh të tjera.

Në klinikën e sëmundjeve ngjitëse në Shkup janë shtrirë 54 pacientë, 4 prej të cilëve në gjendje më të rëndë. 20 të tjerë kanë nevojë vetëm për oksigjen por nuk janë në respirator, teksa të tjerët janë në gjendje më të mirë pa pasur nevojë për frymëmarrje artificiale.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe bëri të ditur se në 24 orët e fundit janë shënuar 44 raste të reja me COVID-19. Numri i përgjithshëm i të prekurve është 329. Ministri tha se janë bërë mbi 3500 teste që nga përhapja e sëmundjes. Ministri theksoi se po bëhen analizat dhe hetime lidhur me mospranimin e gruas 66 vjeçe nga rrethi i Strugës në spitalin e Ohrit, e cila vdiq në shtëpi, dhe për rrjedhojë është shkarkuar drejtorja e spitalit dhe është emëruar një drejtor i ri. Sa i përket të riut 31 vjeçar, i cili vdiq një ditë më parë nga COVID-19, e që nuk ishte evidentuar ndonjë sëmundje paraprake në klinikë përveç obezitetit, ministri tha se megjithatë viktima kishte pasur histori por pa saktësuar se çfarë sëmundje.

Ndërkaq, Klinika për rehabilitim në Kozle të Shkupit është mbyllur pasi atje ka pasur mjekë dhe personel të ekspozuar ndaj virusit dhe për 16 prej tyre po bëhen testet. Autoritetet kanë vënë në dispozicion katër poliklinika në Shkup për realizimin e testeve të koronavirusit dhe po ashtu testimi mund të bëhet edhe në të paktën dy spitale private në Shkup. Nga java e ardhshme do të hapen edhe mundësi për teste në qytete të tjerë.

Një spital fushor është duke përfunduar ngjit me Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup dhe ai pritet të lëshohet në përdorim nga dita e nesërme. Ndërkaq, në Klinikën infektive edhe gjysma e shtretërve janë të lirë.

Nga ana tjetër, qeveria maqedonase ka marrë masa ekonomike për zbutjen e gjendjes nga koronavirusi. Të gjithë funksionarëve të emëruar në poste shtetërore dhe lokale do t’u shkurtohet rroga për dy muajt e ardhshëm dhe ata do të marrin nga 14500 denarë që i bie 235 euro. Këtu bëjnë pjesë Presidenti i vendit, i Parlamentit dhe Qeverisë, te gjithë ministrat, zëvendësministrat, sekretarët shtetërorë nëpër ministri, drejtorët e institucioneve shetërore dhe kompanive shtetërore, deputetë, kryetarë komunash dhe persona të tjerë të zgjedhur apo emëruar në funksione. Në këtë kategori, pas shumë reagimesh, nuk do të bëjnë pjesë punonjësit e administratës, siç kërkonte kryetari i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev.

Me këto para qeveria synon të ndihmojë ekonominë dhe kompanitë private, të cilat janë mbyllur apo nuk po funskionojnë për shkak të rrethanave me COVID-19, në mënyrë që ato t’i ruajnë vendet e punëtorëve.

Presidenti Stevo Pendarovski mblodhi te marten Këshillin e Sigurimit kombëtar për të diskutuar mbi gjendjen, ndërsa është konstatuar po ashtu gjendja e vështirësuar ekonomike. Presidenti tha nga ana tjetër, se nuk ka nevojë për zgjatjen në 24 orë të ndalim qarkullimit, apo orës policore dhe kjo gjë as nuk është shqyrtuar “sepse në këtë moment nuk ka nevojë për ashpërsimin e masave të qarkullimti të qytetarëve. Me këto masa që aktualisht janë në fuqi janë arritur rezultate të kënaqshme”, u shpreh Z. Pendarovski./VoA