Kryesuesi i KGJK-së mban takim me kryetarët e gjykatave

Kryesuesi i KGJK-së mban takim me kryetarët e gjykatave

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Skender Çoçaj ka mbajtur takim me kryetarët e gjykatave të Kosovës, për të diskutuar rreth situatës aktuale në të gjitha gjykatat e vendit, pas vendimit të KGJK-së për reduktimin esencial të aktiviteteve gjyqësore, pas paraqitjes së pandemisë Covid-19.

Kjo gjë u bë e ditur përmes një njoftimi zyrtar të KGJK-së.

“Pavarësisht kushteve, rrethanave të krijuara nga pandemia covid19 dhe reduktimit esencial të aktiviteteve gjyqësore si dhe stafit, puna në gjykatat tona nuk është ndalur por vetëm është reduktuar esencialisht dhe besoj se është mirë që edhe publiku të jetë i informuar për këtë. Besoj se pajtohemi që me më rëndësi është jeta e njerëzve dhe pastaj vjen puna, por nuk mundemi të mos jemi të vëmendshëm për punën tonë, sidomos duke e pasur parasysh natyrën specifike që ka puna jonë. Situata aktuale pa dyshim që ka krijuar vështirësi në punën tonë, andaj, gjatë kësaj kohe, pa dyshim neve do të na paraqiten probleme të ndryshme, sidomos çështjet që lidhen me afatet ligjore, çështjet e parashkrimit kanë me qenë një ndër problemet më të mëdha, si dhe çështjet e ekzekutimit të dënimeve”, ka deklaruar kryesuesi Çoçaj.

Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar edhe mundësia e mbajtjes së seancave gjyqësore, sidomos për rastet që rrezikohen të parashkruhen.

Lidhur me këtë, në njoftim thuhet se kryetarët e gjykatave e kanë informuar kryesuesin Çoçaj rreth punës që ata dhe stafi i tyre po bëjnë gjatë kësaj periudhe.

“Pavarësisht situatës së krijuar, në të gjitha gjykatat pranohen shkresat fizikisht por edhe në formë elektronike, ndërsa fokusi kryesor në këtë situatë mbetet trajtimi i rasteve urgjente. Për shkak të kësaj pandemie, për kryetarët mbetet brengosje ngecja e efikasitetit të punës në gjykatat e vendit ku edhe për ta problem kyç mbetet parashkrimi, pastaj  ekzekutimi, caktimi i seancave, pamundësia e dërgimit të ftesave palëve në situatë pandemie etj. që në rrethana të tilla e vështirësojnë në masë të madhe punën e gjykatave në vendin tonë”, thuhet në njoftim.

Në fund, thuhet se kryesuesi Çoçaj ka kërkuar nga kryetarët e gjykatave që në mesin e muajit prill, gjykatat të përgatisin një raport të veçantë pune, më konkretisht, çfarë është punuar në gjykata qysh nga paraqitja e pandemisë pra që nga marrja e vendimi të KGJK për reduktimin esencial të aktiviteteve gjyqësore. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi