Arsyetimi i aktgjykimit dënues ndaj ish-ministri i MAPL-së

Arsyetimi i aktgjykimit dënues ndaj ish-ministri i MAPL-së

Ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq, më 5 dhjetor të vitit të shkuar, ishte dënuar me dy vjet burg, pasi ishte shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, me 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda  në Republikën e Kosovës.

Për këtë veprim, ai akuzohet të ketë kryer veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, për çka tashmë është dënuar nga shkalla e parë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në faqen zyrtare, ka publikuar aktgjykimin në formë të shkruar, ku thuhet se organi i akuzës është kujdesur që pretendimet e tij t’i mbështetë në prova konkrete.

“Ai ka arrit të bëj përshkrimin faktik konform situatës dhe rrethanave si ka ndodhur dhe si është zhvilluar rasti. Prokurori gjithashtu ka arritur të bëj ndarjen e kufirit deri kur lejohet shprehja e lirë e vullnetit dhe kufirin kur kjo liri kapërcehet dhe kalon në vepër penale. Po ashtu edhe ka arrit ta dallon dhe ta fakton ndarjen e përgjegjësisë politike në raport me ato penale, duke u bazuar në të lartcekurat gjykata vlerëson se si mjaft reale, bindëse dhe objektive fjalën përfundimtare të prokurorit të çështjes”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, gjykata ka marr parasysh edhe praktikën gjyqësore ndërkombëtare dhe atë një prej rasteve të ngjashme A.S., kundër Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në këtë rast sipas aktgjykimit, Gjykata Themelore në Brqko të Bosnës dhe Hercegovinës e kishte shpallur fajtor të pandehurin A.S. për veprën penale “nxitja e urrejtjes, mos durimit nacional, fetar etnik”, ku më pas i pandehuri kishte shterur pa sukses edhe të gjitha mjetet e rregullta dhe jashtëzakonshme juridike.

Gjykata në aktgjykimin e saj i ka vlerësuar si të paqëndrueshme edhe pretendimet e mbrojtjes se i pandehuri kishte imunitet, nëse do të kishte folur në tubimin e qytetarëve serb në Sveqan me 24 mars 2018, në cilësi të Ministrit të Qeverisë së Kosovës.

“Pretendimet e mbrojtjes të paraqitura në fjalën përfundimtare se klienti i tij këtu i pandehuri, me deklarimin e tij në tubimin e qytetarëve serb në Sveqan me datë 24.03.2018 ka mundur të jetë përgjegjës politike por jo edhe për atë penale, gjykata i vlerëson të paqëndrueshme sepse përgjegjësia politike nuk e kufizon përgjegjësinë penale”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Në rastin konkret, gjykata ka vlerësuar se është vërtetuar që i pandehuri me dashje ka deklaruar  ashtu sic është cekur në aktin akuzues.

“Gjykata vlerëson se kjo deklaratë dhe këto shprehje që janë përdor nga ish ministri janë veprime fyese ndaj një populli të tërë dhe si të tilla mund të nxisin urrejtje përçarje, mos tolerancë ndërmjet grupeve etnike në Kosovë”, thuhet në aktgjykimin e shkallës së parë.

Këto veprime sipas gjykatës e tejkalojnë lirinë e shprehjes që parashihet në nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe akteve të tjera të brendshme.

Ndryshe, Ivan Teodosijeviq ka qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit të kaluar, e kishte shkarkuar atë nga pozita e lartpërmendur, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi