Gazidis dëshiron ta mbajë Maldinin, zbulohet projekti i Milanit
BKT
Sport

Gazidis dëshiron ta mbajë Maldinin, zbulohet projekti i Milanit

Mbi të ardhmen e Paolo Maldinit ka ende shumë spekulime dhe e vetmja gjë e sigurt është që ai do të jetë në krye të sektorit sportiv kuqezi deri në fund të sezonit.

Largimi, por edhe mënyra se si Milani i “dha duart” Zvonimir Bobanit ka shtuar dyshimet në kokën e legjendës i cili duket i vendosur për t’u larguar nga detyra. Fjala fundit nuk është thënë ende dhe Paolo është i prirur për të mos qëndruar.

Në anën tjetër është Ivan Gazidisi, që duket se nuk ka dëshirë të humbë një ikonë të klubit nga bordi drejtues. Administratori e vlerëson ish-kapitenin dhe sipas “La Gazzetta dello Sport” po planifikon mënyrën për të bindur të qëndrojë te Milani.

Pezullimi i Serisë A, por edhe fakti që Maldini rezultoi pozitiv me “Coronavirus” ka shtyrë çdo mundësi takimi mes palëve, që me rinisjen e stërvitjeve nga ana ekipeve, do të kenë mundësi të ballafaqohen.

Megjithëse ish-mbrojtës, vështirë së Paolo të “luajë” në mbrojte këtë herë, ndaj nëse Gazidisi do të kërkojë të mbajë, do t’i duhet t’i garantojë pavarësi në ato që do të jenë detyrat në planin e ri të rrugëtimit të Milanit.

Projekti – Sipas të përditshmes italiane, aktualisht, Gazidis dhe Gordon Singer (pronari i fondit “Elliott”) janë përqëndruar në video-telefonata mes tyre dhe Ralf Rangnikut. Ky i fundit ka dyshime, por dyshja milaniste po tenton të bindë për projektin e ri. Prania e Singerit në bisedime shërben për t’i dhënë trajnerit garanci, një nga të cilat do të jetë buxheti për merkato.

Amerikanët janë gati t’i garantojnë një shtesë të parë prej 75 milionë eurosh, teksa në bazë të zhvillimeve mund të ketë edhe një rritje të dytë të destinuar për merkato.

Rangnik ushqen ende dilema, por Milani nuk duket të ketë ndër mend të heqë dorë nga projekti me shumë të rinj, që duhet të ketë në krye pikërisht një vizionar si tekniku gjerman.