Mesazhi i presidentit të KON-it nga shtëpia: Bëni aktivitet fizik
BKT
Sport

Mesazhi i presidentit të KON-it nga shtëpia: Bëni aktivitet fizik

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, dha një mesazh domethënës nga shtëpia e tij për të gjithë komunitetin e sportit. Ish-kampioni olimpik në skermë, aktualisht në krye të KON-it, e shpërndau mesazhin nga shtëpia e tij në Lozanë, që është njëkohësisht dhe selia e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, teksa ishte duke u ushtruar me një biçikletë.

Bach theksoi se, pavarësisht se askush nuk mund të jetojë për momentin me një ritëm normal, është e rëndësishme që të gjenden çdo ditë mënyra të ndryshme për të përballuar krizën. Sporti dhe aktiviteti fizik, theksoi ai, në këtë aspekt luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Sipas Bach, është thelbësore që njerëzit të qëndrojnë të shëndetshëm dhe të stërviten nga pak çdo ditë, për të qenë gati kur t’i rikthehen jetës sociale dhe profesionale.

Gjithashtu ai përshëndeti të gjithë atletët olimpikë, duke u kërkuar njerëzve që t’u bashkohen programeve të tyre “online”, për të qëndruar të fortë, aktivë dhe të shëndetshëm.