Në Gjykatën e Deçanit mbahet një seancë për dhunë në familje

Në Gjykatën e Deçanit mbahet një seancë për dhunë në familje

Në Gjykatën Themelor në Pejë, dega në Deçan është mbajtur një seancë e natyrës urgjente dhe atë për dhunë në familje.

Një gjë e tillë është bërë e ditur për “Betimin për Drejtësi”, nga gjyqtari mbikëqyrës i Gjykatës së Deçanit, Sulltan Dobraj.

Dobraj ka thënë se në degën në fjalë gjithashtu janë duke u pranuar shkresat në mënyrë të rregullt, për çka tha se është stafi kompetent për pranimin e tyre.

Ndërkaq, gjyqtari mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë, Prekë Palushi bëri të ditur se nuk ka pas seanca të natyrës urgjente por se kanë lëshuar një urdhër arrest.

“Seanca të natyrës urgjente nuk ka pas. Por vetëm e kam lëshuar një urdhër arrest me kërkesë paraprake të prokurorisë, të cilin ia kam dërguar Stacionit Policor në Rahovec”, ka thënë Palushi.

Tutje, edhe Palushi ka thënë se në degën që ai e mbikëqyrë po i pranojnë shkresat, për çka e kanë stafin, duke shtuar se disa që janë të natyrës urgjente janë duke i shpërndarë.

Ndryshe, pas konfirmimit të rasteve të para pozitive me koronavirus në Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)  kishte marrë vendim për reduktimin e të gjitha aktiviteteve në kuadër të KGJK-së dhe atyre të Gjykatave të Kosovës.

Përmes një njoftimi, KGJK kishte bërë të ditur se kryetarët e gjykatave duhet të caktojnë  gjyqtarët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

“Ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten”, thuhej në njoftim.

Gjithashtu, KGJK kishte autorizuar Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së që të reduktojë esencialisht stafin në zyre dhe të realizojnë vetëm veprimtaritë esenciale administrative në kuadër të Sekretariatit.

“Në të gjitha rastet kur është e mundur dhe e lejuar me ligj, të punësuarit e sistemit Gjyqësor aktivitetet dhe punën e tyre t’i realizojnë nga vendet e tyre të banimit përmes formave të ndryshme të komunikimit elektronik”, thuhej në vijim të njoftimit.

Ky vendim ka hyrë në fuqi me 16 mars dhe masat e theksuara në këtë vendim do të vlejnë deri në një vendim të ri të KGJK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi