Për dy muaj në Kosovë ndodhin mbi 2 mijë aksidente rrugore

Për dy muaj në Kosovë ndodhin mbi 2 mijë aksidente rrugore

Në janar dhe shkurt të vitit 2020, në Republikën e Kosovës është rritur numri i aksidenteve rrugore krahasuar me muajt janar-shkurt të vitit 2019, mirëpo është ulur numri i personave të vdekur.

Sipas informatave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, gjatë dy muajve të parë të vitit 2020 kanë ndodhur 2,499 aksidente, prej të cilave 11 prej tyre kanë qenë me fatalitet (11 persona të vdekur), kurse 845 prej kanë qenë aksidente me lëndime (1,620 persona të lënduar).
Po ashtu gjatë këtyre dy muajve kanë ndodhur 1,643 aksidente më dëme.

Mirëpo, nëse krahasohet me muajt janar dhe shkurt të vitit 2019, del se në vitin 2020 është rritur numri i aksidenteve, mirëpo është ulur numri i aksidenteve fatale.

Kjo pasi në vitin 2019 kanë ndodhur 1,991 aksidente, apo 508 aksidente më pak se në dy muajt e parë të vitit 2020.

Mirëpo gjatë vitit të kaluar, si pasojë e këtyre aksidenteve, kanë ndërruar jetë 16 persona, ,apo 5 më shumë se në muajt janar-shkurt 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë vitit 2020, është rritur edhe numri i personave të lënduar në aksidente trafiku, pasi në janar-shkurt 2019 numri i personave të lënduar ka qenë 1,255, ndërsa në janar-shkurt të këtij viti numri ka shkuar në 1,620 apo 365 persona më shumë.

Në muajt janar dhe shkurt 2020 sipas statistikave rezulton se ka pasur edhe rritje të numrit të aksidenteve më dëme materiale, ku në këta dy muaj kanë ndodhur 333 aksidente me dëme më shumë se në janar-shkurt 2019.

Po ashtu, në dy muajt e parë të këtij viti rezulton se janë shqiptuar mbi 23 mijë tiketa më shumë se në dy muajt e parë të vitit 2019.

“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar nga Policia e Kosovës edhe statistikat për muajin mars 2020, por sipas tyre, për shkak të rrethanave dhe situatës me pandemi COVID-19, zyrtarët ishin të angazhuar sipas planit 12 orësh me detyra operacionale dhe se ishin pezulluar disa aktivitete administrative. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi