Gjykata aprovon padinë e “Rosa Security”, anulon vendimin e OSHP-së
Sharr Travel

Gjykata aprovon padinë e “Rosa Security”, anulon vendimin e OSHP-së

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) është obliguar që të vendos sërish lidhur me ankesën e kompanisë “Rosa Security”, të cilën e kishte ushtruar kundër vendimit për aktivitetin e prokurimit “Sigurimi fizik i objekteve të Spitalit Regjionale të Prizrenit dhe Vushtrrisë”.

Kjo pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar si të bazuar padinë e paditësit  “Rosa Security” dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje vendimin e OSHP-së, me të cilin ajo kishte refuzuar ankesën kundër vendimit për aktivitetin e prokurimit “Sigurimi fizik i objekteve të Spitalit Regjionale të Prizrenit dhe Vushtrrisë”.

Paditësi me padinë e datës 10 qershor 2016 kishte kërkuar nga gjykata anulimin e vendimit të të paditurës, me të cilin është hedhur poshtë si e pasafatshme ankesa e paditësit, kundër vendimit të OSHP-së.

Kjo me pretendimin se e paditura me vendimin kontestues nuk i ka adresuar çështjet në mënyrë të duhur, pasi që paditësi ka parashtruar ankesën pranë të paditurës, në afatin e paraparë me dispozita ligjore sapo ka marr vesh për njoftimin e dhënies së tenderit.

Lidhur me këto pretendime ankimore, gjykata ka vlerësuar se padia e paditësit është tërësisht e bazuar.

“Gjykata konform dispozitave ligjore te nenit 44 par.1 të LKA-së, vlerësoi ligjshmërinë e vendimit kontestues, thënieve ne padi, përgjigje ne padi, shkresave te lendes ne këtë çështje administrative dhe thënieve ne seancën e shqyrtimit kryesor, ka gjetur se padia  e paditësit është e bazuar”,  thuhet në vendimin e gjykatës.

Në këtë aktgjykim thuhet se, nga vendimi i kontestuar del se ai përmban të meta të tilla për shkak të të cilave nuk mund shqyrtohet ligjshmëria e tij.

Gjykata ka vlerësuar se vendimi i të paditurës  përmban shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për Procedurën Administrative (LPA).

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 10 qershor 2016, paditësi “Rosa Security”, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative të anuloj vendimin e të paditurës OSHP.

Përmes këtij vendimi të datës 01 qershor 2016 e paditura kishte hedhur poshtë si e pasafatshme ankesën e paditësit, kundër vendimit për aktivitetin e prokurimit “Sigurimi fizik i objekteve të Spitalit Regjionale të Prizrenit dhe Vushtrrisë”. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi