Gjykatat refuzojnë propozimet e SHKK-së, për pezullimin e denimeve

Gjykatat refuzojnë propozimet e SHKK-së, për pezullimin e denimeve

Paraqitja e rasteve të para pozitive me Covid-19 në Kosovë, ka bërë që edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) të merr vendime lidhur me parandalimin e kësaj pandemie në të gjitha burgjet, ku aktualisht janë duke e vuajtur dënimin mbi 1 mijë të burgosur.

Më 12 mars të këtij viti, SHKK-ja mori vendim me të cilin ka ndërprerë të gjitha vizitat familjare në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, duke u mundësuar atyre komunikim virtual.

Përveç kësaj, SHKK dhe Ministria e Drejtësisë (MD) kanë kërkuar edhe pezullimin e dënimit ndaj 18 të burgosurve në moshë të shtyrë apo me sëmundje kronike.

Lidhur me këtë çështje, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me ministren në detyrë të MD-së, Albulena Haxhiu, kryetarin e Komisionit për Legjislacion, Driton Selmanaj, kryesuesin e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës (KGJK), Skender Çoçaj, SHKK-në, kryetarët e shtatë gjykatave themelore si dhe Gjykatën e Apelit.

Ministrja Haxhiu ka thënë se ka pasur komunikime me kryetar të gjykatave si dhe me kryesuesin e KGJK-së, për të parë mundësinë e bashkëpunimit.

“Kam pasur komunikime me kryetar gjykatash si dhe me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, për të parë mundësinë e bashkëpunimit dhe që të paktën të vihet në funksion paneli për lirim me kusht. Ky panel është duke funksionuar dhe po lirohen me kusht ata që i plotësojnë kriteret. Arsyeja se pse është bërë kërkesë që të pezullohet dënimi për të dënuarit në moshë të shtyrë si dhe me sëmundje kronike, është edhe për shkak të shkarkimit të një pjese të stafit, por natyrisht edhe për shkak se këto raste siç e dimë janë më të ndjeshme dhe të rrezikuara. Megjithatë, gjykatat nuk mund të dalin kundër rekomandimeve të mjekëve”, ka thënë ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu.

E njëjta ka shtuar se me qëllim të zbatimit të masave të SHKK-së, ajo i është drejtuar edhe Komisionit për Legjislacion, të cilin e udhëheq deputeti Driton Selmanaj, por që ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Duke qenë se janë bërë bashkë deputetët e partnerit tonë me opozitën në qëndrimin se nuk pranojnë projektligje nga Qeveria, atëherë unë nuk mund të procedoj diçka që paraprakisht nuk mund të trajtohet për shkak të këtij refuzimi për të bashkëpunuar dhe interesuar. Meqë ata po thonë që Qeveria nuk mund të procedoj ndryshime, të paktën le të jenë ata në krye të detyrës”, ka shtuar Haxhiu.

Lidhur me ndryshimin e ligjit aktual për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Haxhiu ka thënë se ideja e këtij ndryshimi është që të paktën të jetë një dispozitë që i parasheh rrethanat e paraqitura si pasojë e pandemisë.

“Ideja e ndryshimit të ligjit aktual është që të paktën të jetë një dispozitë që i parasheh rrethanat e tilla. Pezullimi i dënimit nuk është falje, as amnisti. Madje atyre që ju pezullohet dënimi, nuk i llogaritet kjo kohë fare. Ky ndryshim mund edhe të mos përdoret fare, nëse situata vazhdon kësisoj por të paktën t’i kemi gati të gjitha masat”, deklaroi Haxhiu.

Ndër të tjera, në kërkesën drejtuar Komisionit për Legjislacion, thuhet se ministrja Haxhiu ka pranuar peticione nga të burgosurit lidhur me mundësinë e lirimit të parakohshëm të tyre, e po ashtu edhe kërkesa nga organizatat që monitorojnë institucionet korrektuese.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Driton Selmanaj   ka thënë se ai në ditët në vijim do ta ftoj komisionin për ta adresuar çështjen e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve por që do të diskutohen edhe çështje të tjera.

“Në këtë takim do të vendosim se si do të veprojmë edhe për çështjet e tjera që na kanë ardhë. Nuk e di se çka në fakt është procedu tek ne, sepse spo dalim në punë këto ditë. Por kam informata që edhe disa projektligje kanë ardhë, e jam në konsultime edhe me sekretarin e Kuvendit, sepse nuk ka praktikë që Qeveria e shkarkuar të procedoj projektligje në Kuvend. Nuk do të ketë trajtim ekskluziv të çështjes së ndryshimeve legjislative”, ka thënë Selmanaj.

Rreth propozimeve për pezullim të dënimeve për disa të dënuar, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe kryesuesin e KGJK-së, Skender Çoçaj, i cili ka thënë se për këtë gjë është diskutuar në takimin me kryetarët e gjykatave, të mbajtur më 1 prill 2020.

Çoçaj ka thënë se janë pajtuar që për këtë do të vendoset ashtu siç do të rekomandohet nga komisioni i mjekëve, siç përcaktohet me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

“Janë disa kërkesa të disa të burgosurve të sëmurë. Ne kemi marrë një listë nga Shërbimi Korrektues, të cilat janë duke u trajtu nga kryetarët e gjykatave. Ligji thotë të formohet komisioni mjekësor me tre mjek. Ndërsa sa i përket pezullimit të numrit të madh, KGJK e as kryetarët e gjykatave nuk e kanë atë kompetencë”, ka thënë Çoçaj.

Po ashtu, Çoçaj ka shtuar se për shkak të situatës së krijuar, çështja e lirimit me kusht është marrë me urgjencë, nga paneli për lirim me kusht.

Për mënyrën e trajtimit të propozimeve të SHKK-së, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me kryetarët e shtatë Gjykatave Themelore të Kosovës.

Deri më tani, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pranuar gjashtë kërkesa për pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit, të parashtruara nga drejtorët e institucioneve Korrektuese të Burgut të Dubravës dhe Burgut të Sigurisë së Lartë, por të njëjtat janë refuzuar si të pabazuara.

Ndërsa katër propozime të tjera të pezullimit me burgim të SHKK-së, janë refuzuar edhe nga Gjykata Themelore e Pejës.

“Gjykata pasi ka pranuar mendimet e ekspertëve mjekësor për secilin të dënuar veç e veç, ka refuzuar kërkesat e parashtruara për pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit”, thuhet në përgjigjen dhënë nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti.

Gjykata Themelore e Ferizajt ka pranuar dy kërkesa, prej të cilave, njëra është në procedurë, ndërsa tjetra është refuzuar.

Dy kërkesa janë pranuar edhe nga Gjykata Themelore e Prizrenit, por për to nuk është vendosur akoma.

“I kemi pas dy raste, por na kanë qu raporte mjekësore shumë të mangëta, veç e kanë konstatu diagnozën. Ne i kemi qu në Klinikë, ata na kanë kthy se raportet janë të mangëta, i kemi qu përsëri kemi kërku prej Shërbimin Korrektues, prapë të njëjtat na kanë dërgu, pra ende nuk kemi vendos se nuk e kemi raportin e komisionit mjekësorë”, ka thënë për “Betimi për Dretjësi” kryetari i kësaj gjykate, Ymer Hoxha.

Refuzimin e një kërkese e ka bërë edhe Gjykata Themelore e Gjakovës, ka konfirmuar zyrtari për informim i kësaj gjykate, Lekë Muqaj.

Ndërsa, në bazë të përgjigjes së kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi, kjo gjykatë nuk ka pranuar ende asnjë kërkesë.

Kurse, lidhur me trajtimin e këtyre propozimeve, “Betimi për Drejtësi” nuk ka marrë përgjigje nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Për shkak të refuzimit të pothuajse të gjitha propozimeve, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me Gjykatën e Apelit.

Zëdhënësi i kësaj gjykate ka thënë se deri më tani nuk është pranuar asnjë lëndë e kësaj natyre.

Ndryshe, sipas nenit 11 të Ligjit nr.05/l -129 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-149 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, kryetari i Gjykatës Themelore kompetente, mund të lejoj  pezullim të përkohshëm të një dënimi me burgim, nëse është vërtetuar se: personi i dënuar vuan nga një sëmundje serioze, e cila ia kërcënon jetën, trajtimi mjekësor, i cili përndryshe nuk është në dispozicion nën shërbimin korrektues ose institucioneve shëndetësore publike të Kosovës, është në dispozicion të personit të dënuar, nëse lirohet dhe nuk ekziston rrezik serioz i largimit ose përsëritjes së veprës penale e cila nuk mund të lehtësohet me kushtet e atij pezullimi.

Po ashtu, sipas këtij neni, aktvendimi për pezullim të përkohshëm të ekzekutimit të dënimit me burgim duhet të bazohen në vlerësimin mjekësor të një komisioni, i cili përbëhet prej tre (3) mjekëve të emëruar nga kryetari i gjykatës themelore përkatëse, ndërsa mjeku që e trajton nuk duhet të jetë pjesë e këtij komisioni, megjithatë raporti i tij/saj mjekësor duhet të merret parasysh nga komisioni.

Ndërsa, kohëzgjatja e pezullimit të dënimit nuk llogaritet si pjesë e kohëzgjatjes së vuajtjes së dënimit.

Ndryshe, Zyra e komunikimit me publikun e Shërbimit Korrektues të Kosovës, për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se deri më tani asnjë i burgosur nuk është i prekur nga koronavirusi, ndërsa të prekur janë pesë zyrtarë korrektues dhe një punonjës shëndetësor, të  Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, të cilët janë vetë-izoluar. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi