Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Enver Sekiraqës

Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Enver Sekiraqës

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytje të vrasjes së ish-policit Triumf Riza.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të gjykatës në fjalë.

“Departamenti Special i Gjykatës  së Apelit, duke aprovuar ankesën e palës mbajtëse,  e ka kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarit E.S. Ky i fundit  muaj më parë ishte shpallur fajtor nga ana e Gjykatë Themelore në Prishtinë, për veprën penale “ Shtytja në  kryerjen e veprës penale vrasje e rendë” nga neni 24 dhe 147 par.3 dhe 9 i Kodit Penal të Kosovës,  më ç’ rast ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 30 viteve.”, thuhet në komunikatë.

Sipas kolegjit të gjyqtarëve të shkallës së dytë, aktgjykimi i shkallës së parë është nxjerrë në kundërshtim më dispozitat e nenit 384  të Kodit të Procedurës Penale, pasi thuhet se e njëjta nuk ka përfillur dispozitat që kanë të bëjnë me shqyrtimin gjyqësor.

“Po ashtu Gjykata e Apelit, vlerësoi se aktgjykimi  në fjalë, është i pa qartë, i pa kuptueshëm dhe kontradiktor në brendinë e tij, dhe së është i bazuar në prova dhe dëshmi të cilat nuk janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor. Për këto dhe arsye tjera u vendos që çështja t’i kthehet edhe njëherë gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.”, thuhet tutje në njoftim.

Sekiraqa, në shtator të vitit të kaluar, ishte shpallur fajtor për nxitje në vrasjen e të ndjerit Riza, për çka ndaj tij ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, ankesë kishin ushtruar mbrojtësit e të akuzuarit Sekiraqa, avokatët Kosovare Kelmendi dhe Bosjan Penko.

Sipas ankesë së ushtruar nga mbrojtësit e të akuzuarit, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave ligjore, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit jo të plotë apo të gabuar të gjendjes faktike.

Ai ishte dënuar më 17 maj 2016 nga Gjykata Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2018, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator 2018, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi