Një muaj paraburgim ndaj të akuzuarit për mashtrim, Ekrem Lika

Një muaj paraburgim ndaj të akuzuarit për mashtrim, Ekrem Lika

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit Ekrem Lika, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “mashtrimi”.

Kjo masë është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, bëhet e ditur përmes komunikatës për media, e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Gjykata ka vlerësuar se nëse i pandehuri E.L do të jetë në liri, ekziston rreziku i ikjes dhe mos paraqitjes së tij para organeve të drejtësisë, pasi që i njëjti ka qenë në kërkim nga organet e ndjekjes, dhe deri në arrestimin e tij më 18 prill 2020 nuk është paraqitur në organet e drejtësisë. Po ashtu, ekzistojnë rrethana të posaçme që tregojnë se nëse i pandehuri lihet në liri, do të ndikojë në dëshmitarët e mundshëm që kanë qenë në vendin e ngjarjes, andaj masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe efektive me qëllim të pamundësimit të përsëritjes së veprës penale nga ana e të pandehurit dhe zhvillimit të pa penguar në këtë rast penal”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me arrestimin e të akuzuarit Lika, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me Zyrën e Informimit të Policisë së Kosovës.

“Njësitë policore të udhëhequra nga Drejtoria për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar. Pas verifikimit ka rezultuar se i dyshuari posedon edhe dy urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës, andaj me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Zyra e Informimit.

Ndryshe, bashkë me të akuzuarin Lika, për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, ndaj të cilëve më 26 shkurt të këtij viti është shpallur aktgjykim dënues nga shkalla e parë.

I akuzuari Hashimi është dënuar me tre vite e nëntë muaj burg, ndërsa i akuzuar Rexhepi me tre vite.

Por edhe pas kalimit të më shumë se një muaj nga shpallja e aktgjykimit, i njëjti ende nuk është përpiluar në formë të shkruar.

Kjo pasi që, për përpilimin e aktgjykimit, gjykatësja e rastit Medie Bytyçi kishte kërkuar kohë shtesë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi.

Neni 369.1 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, ka paraparë se aktgjykimi i shpallur duhet të përpilohet me shkrim brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga shpallja e tij, kur i akuzuari gjendet në paraburgim ose i është caktuar paraburgimi, ndërsa në raste të tjera brenda tridhet (30) ditëve nga dita e shpalljes. Kur rasti është i ndërlikuar, gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues mund të kërkojë nga presidenti i gjykatës që të zgjasë afatin për përpilimin me shkrim të aktgjykimit deri në gjashtëdhjetë (60) ditë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011, deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, e cila gjendet në rrugën “Perandori Justinian”, në lagjen “Pejton”, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin si dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, e kanë vënë në lajthim të dëmtuarin Faton Dalladaku.

Gjithnjë sipas prokurorisë, ata përmes të akuzuarit Kadri Rexhepi, prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit dhe atë i akuzuari Rrahim Hashimi, si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa i akuzuari Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit, ashtu që të tre së bashku kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se ky ndërmjetësim pretendohej të realizohej kinse mes personit të quajtur Ekrem Lluka si shitës dhe Faton Dalladaku si blerës, ashtu që e nxisin të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft-kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i akuzuari Rrahim Hashimi, është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës, me 20 për qind të aksioneve, ndërsa Ekrem Lluka me 80 për qind, me ç’rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari Dalladaku shumën e përgjithshme të të hollave prej 290 mijë e 810 euro, për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi