Brenda një dite në Gjykatën e Deçanit dorëzohen 83 padi civile

Brenda një dite në Gjykatën e Deçanit dorëzohen 83 padi civile

Vetëm gjatë një dite, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, janë pranuar 83 padi civile.

Këtë gjë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar mbikëqyrësi i kësaj gjykate, Sulltan Dobraj, i cili tha se të njëjtat janë pranuar më 17 prill 2020.

Dobraj, bëri të ditur se nuk është mbajtur asnjë seancë e natyrës urgjente, përkitazi me vendimi e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që në Gjykatat Themelore dhe degët e saj të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente.

“Në Gjykatën e Deçanit punët janë duke vazhduar me staf të reduktuar, dhe shpresojmë që se shpejti të kalon kjo situatë dhe Gjykata t’i kthehet normalitetit me gjithë stafin, në mënyrë që të punoi në të mirë të qytetarëve”, ka thënë Dobraj

Ndryshe, pas konfirmimit të rasteve të para pozitive me koronavirus në Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)  kishte marrë vendim për reduktimin e të gjitha aktiviteteve në kuadër të KGJK-së dhe atyre të Gjykatave të Kosovës.

Përmes një njoftimi, KGJK kishte bërë të ditur se kryetarët e gjykatave duhet të caktojnë  gjyqtarët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

“Ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten”, thuhej në njoftim.

Gjithashtu, KGJK kishte autorizuar Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së që të reduktojë esencialisht stafin në zyre dhe të realizojnë vetëm veprimtaritë esenciale administrative në kuadër të Sekretariatit.

“Në të gjitha rastet kur është e mundur dhe e lejuar me ligj, të punësuarit e sistemit Gjyqësor aktivitetet dhe punën e tyre t’i realizojnë nga vendet e tyre të banimit përmes formave të ndryshme të komunikimit elektronik”, thuhej në vijim të njoftimit.

Ky vendim ka hyrë në fuqi me 16 mars dhe masat e theksuara në këtë vendim do të vlejnë deri në një vendim të ri të KGJK-së /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi