IKD: Paligjshmëria e vendimeve të domosdoshme për Covid-19
Sharr Travel

IKD: Paligjshmëria e vendimeve të domosdoshme për Covid-19

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të enjten, ka publikuar publikon raportin: “Paligjshmëria e vendimeve të domosdoshme për Covid-19 (Analizë e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimeve për COVID-19)”.

Gjetjet e IKD-së dëshmojnë se në shumë raste, vendimet për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 janë marrë nga institucione jo-kompetente, pa bazë ligjore si dhe duke tejkaluar autorizimet ligjore, çfarë përbën një cenim të rëndë të parimit të hierarkisë ligjore në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës

Komunikata e plotë: 

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, publikon raportin: “Paligjshmëria e vendimeve të domosdoshme për Covid-19 (Analizë e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimeve për COVID-19)”.

Gjetjet e analizës së IKD-së, tregojnë se respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera kushtetuese në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, derisa mos respektimi i hierarkisë ligjore obligative dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut janë negacion i këtyre vlerave.

Për shkak të rritjes së numrit të infektuarve në shtete të ndryshme nga e gjithë bota, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 11 mars 2020, ka shpallur virusin korona që shkakton sëmundjen Covid-19 si pandemi në nivel global. Rastet e para me COVID-19 në Kosovë ishin konfirmuar me 13 mars 2020, derisa deri në ditën e publikimit të këtij raporti, në Kosovë janë të konfirmuar gjithsej 604 të infektuar me COVID-19, 128 prej të cilëve janë shëruar derisa 18 të tjerë kanë humbur jetën.

Për të parandaluar përhapjen e kësaj pandemie, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë kanë ndërmarrë një varg masash. Pavarësisht racionalitetit mjekësor të këtyre masave, në aspektin ligjor, në shumë raste këto vendime nuk përkojnë me vlerën e sundimit të ligjit, respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Gjetjet e IKD-së dëshmojnë se në shumë raste, vendimet e tilla janë marrë nga institucione jo-kompetente, pa bazë ligjore si dhe duke tejkaluar autorizimet ligjore, çfarë përbën një cenim të rëndë të parimit të hierarkisë ligjore në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Më 23 mars 2020, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte nxjerrë vendim për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve private, i cili ndalim, sipas vendimit, ka filluar me 24 mars 2020.

Me kërkesë të Presidentit të Republikës së Kosovës, ky vendim ka qenë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila të njëjtin vendim e ka shfuqizuar, me arsyetimin se i njëjti nuk është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës.

Kërkesat kryesore të këtij aktgjykimi ishin që këto vendime duhet të nxirren nga Ministria e Shëndetësisë, dhe jo nga Qeveria, si dhe këto masa duhet të jetë të përcaktuara me ligj.

Përderisa kërkesa e parë është zbatuar, Ministria e Shëndetësisë përsëri ka nxjerrë vendime për të cilat nuk është e autorizuar me ligj.

Në anën tjetër, në mënyrë që këtyre masave të domosdoshme shëndetësore tu ipet legjitimet dhe legalitet, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka proceduar nismën legjislative për projekt-ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e COVID-19 në Kosovë, i cili projekt-ligj ende ka mbetur në stadin e nismës legjislative. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi