Gjykata e Klinës lëshon fletërreshtim vendor dhe një urdhër për bastisje
Sharr Travel

Gjykata e Klinës lëshon fletërreshtim vendor dhe një urdhër për bastisje

Të mërkurën Gjykata Themelor në Pejë, dega në Klinë, ka mbajtur procedurë paraprake në lidhje me kërkesën për fletërreshtim vendor dhe kërkesën për urdhër për bastisje.

Një gjë e tillë është bërë e ditur, për “Betimin për Drejtësi”, nga gjyqtari mbikëqyrës i Gjykatës së Klinës, Prekë Palushi, i cili tha se gjykata ka lëshuar fletërreshtim vendor me kërkesë paraprake të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Tutje, Palushi ka thënë se dega që ai e mbikëqyrë po ashtu ka lëshuar një urdhër për bastisje.

“Shkresat jemi duke i pranuar në mënyrë të rregullt për çka e kemi stafin, ato të natyrës urgjente jemi duke i shpërndarë. Po ashtu në Gjykatën tonë janë dorëzuar disa padi civile”, ka thënë Palushi.

Ndryshe, pas konfirmimit të rasteve të para pozitive me koronavirus në Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)  kishte marrë vendim për reduktimin e të gjitha aktiviteteve në kuadër të KGJK-së dhe atyre të Gjykatave të Kosovës.

Përmes një njoftimi, KGJK kishte bërë të ditur se kryetarët e gjykatave duhet të caktojnë  gjyqtarët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

“Ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten”, thuhej në njoftim.

Gjithashtu, KGJK kishte autorizuar Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së që të reduktojë esencialisht stafin në zyre dhe të realizojnë vetëm veprimtaritë esenciale administrative në kuadër të Sekretariatit.

“Në të gjitha rastet kur është e mundur dhe e lejuar me ligj, të punësuarit e sistemit Gjyqësor aktivitetet dhe punën e tyre t’i realizojnë nga vendet e tyre të banimit përmes formave të ndryshme të komunikimit elektronik”, thuhej në vijim të njoftimit.

Ky vendim ka hyrë në fuqi me 16 mars dhe masat e theksuara në këtë vendim do të vlejnë deri në një vendim të ri të KGJK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi