Muriqi njofton krerët e Fenerbahçes se dëshiron të transferohet në Angli
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi raportohet se i ka njoftuar krerët e Fenerbahçes për dëshirën e tij që karrierën ta vazhdojë në Angli, e ku Tottenhami është skuadra më këmbëngulëse për ta transferuar në radhët e veta, shkruan mediumi turk “Fotomac”.
Për 26-vjeçarin prizrenas ka interesim edhe nga klubet italiane, porse sipas mediumit të lartpërmendur, Muriqi në takim me presidentin e klubit Ali Koc, ka shprehur dëshirën e tij për t’u transferuar në Premier League.
Klubi turk deri më tash i ka rezistuar ofertave në drejtim të Muriqit, por për shkak të krizës nga koronavirusi sipas të gjitha gjasave do të jetë i detyruar ta shesë lojtarin gjatë afatit kalimtar të verës.
Muriqi ka treguar formë të jashtëzakonshme me Fenerbahçen, ku në 28 ndeshje të këtij edicioni ka shënuar 15 gola. Sulmuesi i Dardanëve ka kontratë të vlefshme me klubin turk deri në verën e vitit 2023.























