PSRK ngritë aktakuzë ndaj të dyshuarës për pjesëmarrje në ISIS

PSRK ngritë aktakuzë ndaj të dyshuarës për pjesëmarrje në ISIS

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të mërkurën, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Sepcial të Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurës, D.D., për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të PSRK-së.

 “Prokuroria Speciale njofton se e pandehura D.D., më 29.10.2014, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS” në Siri,  përmes vend kalimit kufitar Hani i Elezit, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, duke kaluar në Republikën e Maqedonisë dhe nga Aeroporti i Shkupit, ka vazhduar rrugën në drejtim të Stambollit të Turqisë, më pastaj ka përfunduar në qytetin Sedel Faruk në Siri, ku është pritur nga bashkëshorti i saj B.S., nga Shkupi, luftëtar i ISIS-it.”, thuhet në komunikatë.

Sipas PSRK-së, e pandehura është trajnuar nga i njëjti për përdorimin e pushkës automatike dhe është angazhuar në pikëpamje logjistike në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake.

“Po ashtu, e njëjta është financuar nga ISIS për shumën e të hollave nga 100 -150 dollar në muaj, si dhe me pako ushqimore. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, pas martesës me personin e quajtur D.S., pjesëtar i ISIS-it, ka qëndruar dhe vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri, e që edhe në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane ku edhe me datë 19.04.2019, e njëjta është riatdhesuar në Kosovë.”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, e pandehura D.D. akuzohet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi