Gjykata nuk e pezullon vendimin për anulimin e konkursit të noterëve
Sharr Travel

Gjykata nuk e pezullon vendimin për anulimin e konkursit të noterëve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e paditësit Ylli Bokshi, për pezullimin e vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, me të cilin ishte anuluar konkursi i noterëve.

Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar vet Bokshi, i cili ka thënë se është refuzuar kërkesa e tij për caktimin e masës së përkohshme, ndaj vendimit të Ministrisë.

Ministrja në detyrë e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të këtij viti kishte marr vendim për anulimin e provimit të noterisë.

Provimin e kishte anuluar me arsyetimin se procesi i përzgjedhjes së noterëve nga qeverisja e kaluar nuk kishte pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve të përzgjedhur kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.

Por, me këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, nuk ishin pajtuar kandidatët të cilët kanë kaluar provimin e noterisë, e të cilët po kërkojnë që ky vendim të anulohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas anulimit të procesit të noterëve, një pjesë e këtyre kandidatëve të përzgjedhur kishin ushtruar padi në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj Ministrisë së Drejtësisë.

Në mesin e paditësve ishte Ylli Bokshi, i cili përmes padisë së ushtruar më 3 mars 2020, e të cilën e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë anulimin e vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, me të cilin atij i është pamundësuar të zgjidhet noter.

Në padi thuhet se vendimi i atakuar përmban shkelje të rënda të dispozitave ligjore.

“Aktvendimi i atakuar është kundërligjor, për shkak të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale”, thuhet ndër të tjera në padinë e Bokshit.

Mbi pretendimin se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë parti politike, se nuk ka asnjë familjar pjesë të ndonjë partie politike dhe se nuk ka asnjë lidhje familjare apo shoqërore me anëtaret e komisionit, Bokshi po kërkon nga kjo gjykatë që ky vendim i Ministrisë të anulohet si i kundërligjshëm.

Paditësi, krahas padisë, ka paraqitur edhe kërkesën për masën e sigurisë, ashtu që deri në vendosjen e këtij konflikti administrativ të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi.

Padi kundër vendimit të Ministrisë, më 4 mars 2020, kishte paraqitur edhe paditësi Kreshnik Këndusi, i cili ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë të anulojë vendimin me të cilin Ministria e Drejtësisë kishte anuluar provimin e noterisë, duke iu pamundësuar atij përzgjedhja si noter.

Këndusi, përmes padisë,  e kishte  kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Ministrisë, duke kërkuar që i njëjti të anulohet.

Paditësi pretendon se arsyetimi i vendimit sa i përket lidhjeve familjare apo partiake nuk ka fare të bëj me të.

“Aktvendimi i atakuar është kundërligjorë, për shkak të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale”, thuhet ndër të tjera në padinë e Kënduesit.

Gjithashtu, edhe ai ka paraqitur kërkesën për masën e sigurisë, ashtu që deri në vendosjen e këtij konflikti administrativ të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi.

Përveç kandidatëve që ishin përzgjedhur, edhe ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kishte reaguar kundër një vendimit të tillë të pasardhëses së tij në këtë dikaster qeveritar, Albulena Haxhiu.

Edhe Tahiri kishte paralajmëruar veprime ligjore kundër në vendimi të tillë.

“Shihemi në gjykatë”, e kishte përfunduar reagimin e tij ish-ministri Tahiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, të marr më 24 shkurt të këtij viti, është anuluar procesi i Provimit për Noterinë, të shpallur në prill të vitit 2019.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se gjatë procesit të dhënies së këtij provimi, janë shkelur parimet e parapara me Udhëzimin Administrativ MD-NR.01/2019.

Sipas vendimit, ky udhëzim parasheh që procesi të zhvillohet duke u bazuar në parimin e ligjshmërisë, transparencë dhe objektivitetit.

Në vendim thuhet se është shkelur parimi i ligjshmërisë, pasi që fillimisht provimit për noterë nuk iu janë nënshtruar të gjithë kandidatët në të njëjtën kohë, duke bërë që provimi të zgjas më shumë se një ditë.

Po ashtu, në vendim thuhet se ky proces ka prodhuar kandidatë të “suksesshëm” me numër shqetësues me lidhje familjare, miqësore e partiake.

“Ky proces ka prodhuar kandidatë të “suksesshëm” në numër shqetësues me lidhje familjare, miqësore dhe partiake, të cilët kanë mundur të ushtrojnë profesionin e noterit në dëm të interesit të përgjithshëm publik, dhe në dëm të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Pak ditë pasi kishte marr detyrën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një konference për media, më 20 shkurt kishte njoftuar se e ka anuluar provimin e noterisë.

Ajo kishte thënë se ky proces nuk ka pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.

“Ky proces i konkursit kërkon ligjshmëri, transparencë dhe objektivitet. Nuk ka pasur, as ligjshmëri, as transparencë dhe as objektivitet. Në këtë mënyrë unë si ministre e Drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara këtë proces dhe shumica e kandidatëve janë militantë partiak apo familjarë”, kishte thënë ajo gjatë kësaj konference.

Ajo kishte thënë se ka pas deklarata edhe të ambasadorëve, se noterët e rinj nuk mund të njihen jashtë Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kemi pas deklarata edhe të miqve, si ajo e ambasadorit gjerman që kanë paralajmëruar se nuk mund të njihen jashtë Kosovës. Ka pasur edhe kërkesa të OJQ-ve që të kthehet në pikën zero, që është duke u hetuar edhe nga prokuroria. Të gjitha pagesat që janë paguar nga kandidatët që i janë nënshtruar këtij provimi do të kthehen. Ky vendim sot është sinjal i qartë se proceset e tilla, asnjëherë nuk do të përsëriten. Konkursi për provimin e noterisë do të shpallët së shpejti, nuk do të vonoj”, kishte deklaruar ministrja Haxhiu.

Kundër këtij provimi, gjatë vitit 2019, kishte pasur reagime të shumta, duke e cilësuar atë si të komprometuar.

Në gusht të vitit të kaluar, gjashtë organizata të shoqërisë civile, kishin reaguar kundër vazhdimit të procesit për zgjedhjen e noterëve, sipas konkursit publik të shpallur nga Ministria e Drejtësisë (MD).

Sipas OJQ-ve, procesi në fjalë nuk mund të shtyhet përpara, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe komprometimit të këtij procesi në publik, duke shtuar se është i papranueshëm vazhdimi i këtij procesi.

Përmes këtij reagimi, këto OJQ kishin kërkuar nga Ministria e Drejtësisë rishikimin e vendimit për konkursin publik të noterëve, duke kthyer atë në pikën zero për ta vazhduar tutje një qeveri, e cila ka legjitimitet. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi