De Ligt tregon vështirësitë e fillimit te Juve, “i vë syrin” Championsit
Një nga transferimet më të bujshme të verës së kaluar ishte ai i holandezit Mathijs De Ligt nga Ajaxi te Juventusi, për një shifër më të lartë se 70 milionë euro, por djaloshi nga Amsterdami vuajti jo pak në fillimet e tij në Torino.
Në një intervistë të dhënë për kanalin zyrtar të FIFA-s, De Ligt rrëfeu ditët e para në ambientin bardhezi dhe vështirësitë me të cilat u përball për shkak të ndryshimit të mënyrës së lojës mes Ajaxit dhe Juventusit.
“Te Ajaxi bënim një futboll sulmues dhe shpesh gjendeshim duke mbrojtur një kundër një me sulmuesit kundërshtarë, ndërsa te Juventusi jemi më të kujdesshëm dhe më shumë lojtarë mbrapa. Pata pak vështirësi në fillim, por tani kam filluar të mendoj lëvizjen të repart dhe të përshtatem më mirë me këtë mënyrë të mbrojturi”, deklaroi holandezi.
Një vit më parë De Ligt i shkoi pranë Ligës së Kampionëve me Ajaxin, por u eliminuan në gjysmëfinale nga Tottenhami, ndërsa ëndrra e holandezit është që “kupën me veshë të gjata” ta ngrejë pikërisht me fanellën bardhezi.
“Jemi një skuadër e shkëlqyer dhe duam të fitojmë sa më shumë. Objektivi ynë primar për këtë sezon mbetet Liga e Kampionëve dhe kam shumë besim se do t’ia dalim. Sarri kërkon organizimin e lojës nga mbrojtja dhe nga ne të repartit të prapavijës kërkon guxim në organizimin e lojës dhe avancimin me top në këmbë”, u shpreh De Ligt.























