Dybala mposht koronavirusin, kthehet te Juve për të rinisur stërvitjen
BKT
Sport

Dybala mposht koronavirusin, kthehet te Juve për të rinisur stërvitjen

Merr fund makthi i Paulo Dybala-s. Pas një “beteje” të gjatë sulmuesi i Juventusit ia doli mbanë për të mposhtur virusin COVID-19 dhe më në fund 26-vjeçari argjentinas u rikthye në gjirin e bardhezinjve për t’u stërvitur bashkë me shokët e tjerë të ekipit.

Një periudhë vërtet sa e veçantë po aq edhe e vështirë, e mbushur plot teste dhe vizita mjekësore, sidoqoftë gjithçka është hedhur pas krahëve dhe tani sulmuesi me origjinë italo–polake shikon përpara me optimizëm.

Menjëherë pas testeve më të fundit Paulo Dybala deklaroi se ndihet mirë dhe objektivi mbetet përshtatja dhe rikthimi pak e nga pak në regjimin e zakonshëm stërvitor. Dybala u rikthye në Qendrën Sportive në Continassa për të filluar periudhën e rehabilitimit në aspektin fizik. Prej shumë kohësh nuk e ka vënë në punë të majtën e tij, madje ndryshe nga të tjerët sulmuesi argjentinas nuk ka prekur fare top me këmbë. Tashmë është 26-vjeç dhe gjatë karrierës së tij si futbollist profesionist është përballur shpesh herë me situata të tilla apo qoftë edhe dëmtime të rënda fizike.

Këtë herë shkak u bë pandemia e koronavirusit. 4 herë pozitiv përgjatë testimeve të kryera në harkun e 6 javëve, kjo është një situatë që nuk kapërdihet lehtë nga askush, megjithatë Paulo ka ruajtur qetësinë dhe ka ditur të përballojë siç duhet një periudhë tepër të vështirë, ku ndryshe nga të tjerët u shtrëngua për të qëndruar krejtësisht i izoluar. Numri 10 i “zonjës së vjetër” iu nënshtrua të gjitha kontrolleve rutinë në Qendrën Mjekësore të Juventusit, duke kaluar me sukses gjithë testet që nevojiten për të filluar stërvitjen individuale.

Një hap i detyrueshëm për të gjithë, madje për të akoma më shumë duke pasur parasysh periudhën e gjatë të “persekutimit” nga virusi COVID-19. Pas bilancit përfundimtar Paulo Dybala rezultoi për plot 46 ditë i infektuar nga koronavirusi dhe testi përfundimtar që zhduku çdo dyshim mbërriti ditën e mërkurë. Një periudhë e mbushur me tamponë që nxorën përfundime tepër të diskutueshme, por gjithsesi gjëja më e rëndësishme është se testimi më i fundit në mesjavë rezultoi negativ dhe natyrisht që u prit në mënyrë të kuptueshme me një ndjenjë çlirimi nga vetë sulmuesi.

Për gëzimin e gjithë të pasionuarve të këtij sporti apo dhe fansave të shumtë të kampionëve në fuqi, “la joya” apo xhevahiri i rekordmenëve të Italisë më në fund mund të quhet i shëruar plotësisht dhe me qetësinë që e karakterizon apo falë edhe respektit që gëzon në ambientin juventin mund të fillojë të ndërtojë urat e bashkëpunimit me yllin e skuadrës Cristiano Ronaldo, partnerin e tij në vijën e sulmit të bardhezinjve, në kërkim të lavdisë dhe përmbushjes së ëndrrave në një rikthim të tillë të furishëm.

Paulo u paraqit me atë thjeshtësinë karakteristike dhe stilin e tij të veçantë, me fanellë të bardhë, këpucë atletike me ngjyrë të hapur dhe kapelën të vënë së prapthi, e natyrisht edhe me maskën në fytyrë. Dybala u pa i qeshur në momentin e mbërritjes dhe me dëshirën e madhe për të rifilluar gjithçka, ndërsa më pas iu nënshtrua kontrolleve në Qendrën Mjekësore të klubit për afërsisht dy orë e gjysmë. Në një kohë tjetër përpara derës kryesore do të mund të pritej dhe të respektohej nga një ushtri e tërë me gazetarë, por këtë radhë për shkak të situatës aty ishin të pranishëm vetëm disa reporterë.

Me të dalë nga Qendra Mjekësore e Klubit Paulo Dybala u shfaq i qetë, dukë dhënë edhe sinjalin e qartë pozitiv se gjithçka shkoi mirë, me gishtin e madh lart, për të konfirmuar më pas se nuk pati asnjë problem thjesht me dy fjalë të vetme, jam mirë. Në këtë mënyrë pas një kohe të gjatë numri 10 i Juventusit filloi stërvitjen individuale, duke vrapuar apo goditur sferën, njësoj siç bënte edhe dy muaj më herët, pra përpara periudhës së vështirë të karantinimit dhe atij kalvari të përjetuar me testet e njëpasnjëshëm pozitivë me koronavirus.