Arsyetimi i gjykatës për dënimin e të akuzuarve në rastin “Çekiçi”
Sharr Travel

Arsyetimi i gjykatës për dënimin e të akuzuarve në rastin “Çekiçi”

Pas mbi 10 vite përballje me aktakuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë për herë të dytë në janar të këtij viti, i kishte shpallur fajtor Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahin për vrasjen makrabre të Naim Hajrizit, e cila kishte ndodhur në Lipjan në prill të vitit 2009.

Kjo vrasje sipas prokurorisë kishte ndodhur me 29 prill 2009 nga dy të akuzuarit, pasi të njëjtit me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin dhe me qëllim që ta privojnë nga jeta, e kishin goditur më mjete të forta në kokë, ia kishin lidhur këmbët dhe duart, pasi e kishin vrarë e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin, ku për të fshehur gjurmët e kishin djegur trupin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, kjo gjykatë në gjykimin e parë, me 7 korrik 2015, dy të akuzuarit i kishte dënuar me nga 30 vite burgim, mirëpo Gjykata e Apelit me 4 maj 2016, e kishte prishur këtë aktgjykim dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim, pasi kishte konstatuar shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.

Pasi rasti ishte kthyer në rigjykim, vazhdimisht ishte përcjellë me tensione në mes familjes së të dëmtuarit Hajrizi dhe familjarëve të dy të akuzuarve.

Në këtë rigjykim, i akuzuari Spahiu kishte vendosur që pas 10 vitesh qëndrimi në paraburgim të deklarohet në hollësi për rastin, duke e inkriminuar të akuzuarin Gëzim Retkoceri, deklarim i cili ndikoi që prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu të rikualifikojë veprën penale nga vrasje e rëndë në dhënie e ndihmës pas kryerjes së veprës penale.

Me 21 janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë të akuzuarin Retkoceri përsëri e kishte dënuar me 30 vite burgim, mirëpo i akuzuari Spahiu ishte dënuar me 20 vite me pak, pra me 10 vite burgim si dhe të njëjtit i ishte ndërprerë edhe masa e paraburgimit në të cilën kishte qëndruar 10 vite.

Ata ishin obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë nga 300 euro, si dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit, ndërsa pala e dëmtuar ishte udhëzuar në kontest civil.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata ia ka falur besimin dëshmive të 21 dëshmitarëve të dëgjuar gjatë këtij procesi gjyqësor, ekspertit të ADN-së, ekspertit të mjekësisë ligjore dhe të gjitha provave të tjera materiale.

Sipas kësaj gjykate, nga dëshmia e të dëmtuarës Bahrije Hajrizi ishte vërtetuar se bashkëshorti i saj, tani i ndjeri Naim Hajrizi ishte marrë me shitblerjen e veturave dhe se kishte pasur kontakte të shpeshta me të akuzuarit Retkoceri. Ajo kishte deklaruar se me 29 prill 2009, i akuzuari Retkoceri e kishte thirrur bashkëshortin e saj në telefon, dhe se i ndjeri kishte marrë me vete 5,650 euro për të blerë një veturë nga i akuzuari Retkoceri dhe se nga ajo ditë ai nuk ishte kthyer më në shtëpi.

Po ashtu, kjo gjykatë ia ka falur besimin edhe vëllait të të ndjerit Hajrizi, dëshmitarit Halim Hajrizi i cili kishte deklaruar se i akuzuari Retkoceri vazhdimisht e kishte telefonuar të ndjerin Hajrizi kinse ia kishte siguruar një veturë dhe kur i ndjeri kishte shkuar për ta marrë këtë veturë, sipas dëshmitarit ai nuk ishte kthyer më në shtëpi. Ai kishte deklaruar se me 30 prill 2019, kishte shkuar në Stacion Policor në Lipjani dhe derisa ishte duke dhënë deklaratë, e kishte thirrur një person në telefon, i cili sipas dëshmitarit kishte qenë i akuzuari Osman Spahiu dhe i kishte thënë se vëllaun e ke në Shkup dhe të mos e kërkonte në polici. Sipas dëshmitarit, i ndjeri nuk i kishte pasur borxh askujt, por i akuzuari Retkoceri i kishte pasur borxh atij 10,000 euro. Ai po ashtu kishte deklaruar se të nesërmen kishte shkuar në auto servisin “Cali”, për të pyetur të akuzuarin Retkoceri se ku e kishte vëllain e tij dhe se ai i kishte thënë se nuk e dinte.

Kjo gjykatë sipas arsyetimit të aktgjykimit, ia ka falur besimin edhe hetuesit të këtij rasti Zymer Gashi i cili kishte deklaruar se një pjesë e batanijes e cila kishte qenë e ngjyrosur në lloj lloj vajrash, ku ishte gjetur trupi i të ndjerit Hajrizi, kishte qenë indikacion që të kontrollonin në autoservise të cilat janë buzë rrugës magjistrale Prishtinë-Ferizaj. Ndërsa si indikacion të dytë, kishte qenë dyshimi i vëllait të të ndjerit Hajrizi, Halim Hajrizi se i ndjeri me të akuzuarin Retkoceri e kishte pasur kontaktin e fundit. Gjithashtu, sipas dëshmisë së këtij dëshmitari ishte vërtetuar se si provë materiale që ishin gjetur në vendin e ngjarjes, ishte gjetur teli më të cilin të akuzuarit dyshoheshin se ia kishin lidhur duart dhe këmbë, një qese najloni që kishte qenë në kokën e të ndjerit, një lloj vaji i papërpunuar më të cilin ishte lyer trupi i të ndjerit dhe ishte djegur, një fije bari e cila ishte gjetur në njërën nga veturat të tipit “Golf II”, që kishte qenë në autoservisin “Cali”, e cila kishte qenë e llojit të njëjtë si në vendin ku ishte gjetur trupi i tani të ndjerit Hajrizi.

Këtë aktgjykim, gjykata e ka bazuar edhe në dëshminë e hetuesit policor në sektorin e vrasjeve Lulzim Rrustemi i cili kishte deklaruar se së bashku me katër kolegë të tij kishin shkuar në autoservisin “Cali”, kishin gjetur 4-5 vetura, byk sharre të shkrepur nëpër vende ku kishte qenë i derdhur ulja, njolla të kuqe, tri qebe. Pas kësaj, ata kishin kontaktuar hetuesit që kishin qenë në vendin e ngjarjes, dhe njëra prej tyre me emrin Valbona iu kishte informuar se ishte gjetur një qebe në vendin ku ishte gjetur trupi i të ndjerit Hajrizi.

Edhe dëshmisë së oficerit policor Emin Beqiri gjykata ia kishte falur besimin, pasi ai kishte deklaruar se në vendin ku ishte gjetur trupi i të ndjerit, kishte konstatuar se ishte gjetur një trup të cilin ende kishte qenë duke i dalë tymi. Pas një kohe ai kishte kuptuar se një person kishte shkuar në polici dhe kishte lajmëruar humbjen e vëllait të tij dhe se i njëjti e kishte lidhur humbjen e vëllait të tij me autoservisin “Cali” , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjykata kishte dëgjuar edhe ekspertin mjeko-ligjor Arsim Gërxhaliu i cili kishte deklaruar se i ndjerit Hajrizi kishte qenë ende gjallë kur ishte djegur, por sipas tij vdekja do të ishte shkaktuar edhe më lëndime, por e kishte përshpejtuar djegia dhe thithja e monoksidit të karbonit. Ai po ashtu kishte deklaruar se lëndimet e të ndjerit i ishin shkaktuar me një mjet “paiser”, dhe më një “çekan”, me përmasa prej 30-55 mm.

Gjykata ia kishte falur besimin edhe dëshmisë së ekspertit të ADN-së, Fatmir Ademi i cili kishte deklaruar se nga provat të cilat i ishin nënshtruar analizës së ADN-së, përveç mostrës standarde të të ndjerit Hajrizi, kishin qenë edhe dëshmitë të cilat ishin marrë në vendin e ngjarjes ku ishte gjetur trupi i të ndjerit Hajrizi, dhe ato në autoservisin “Cali”, pronë e të akuzuarit Retkoceri.
Sipas këtij eksperti, njollat e gjakut që ishin gjetur në autoservis ishin në përputhje me gjakun e të ndjerit Hajrizi.

Gjykata këtë aktgjykim e kishte mbështetur edhe në provat e tjera, si nga hyrje-dalje dhe SMS-të e shkëmbyera mes të akuzuarit Retkoceri dhe të ndjerit Hajrizi të cilat kishin qenë të shumta, si dhe SMS-i që i ndjeri Hajrizi ia kishte dërguar të akuzuarit Retkoceri “hej sod e ki ni obligim edhe sod duhet me kry edhe ku metën qato 2000 euro kallxom se nuk kam pare në tel”. Sipas kësaj, gjykata kishte vërtetuar se i ndjeri kërkonte të holla nga i akuzuari Hajrizi, pasi edhe vëllai i të ndjerit, dëshmitari Halim Hajrizi kishte deklaruar se vëllai i tij ia kishte dhënë Retkocerit 10,000 euro borxh.

Po ashtu, gjykata në këtë arsyetim kishte përmendur edhe shkresën e prokurores së EULEX-it të datës 27 mars 2014 lidhur më përfshirjen e EULEX-it në marrje në pyetje të dëshmitarit të pretenduar dhe dorëzimin e çekiçit nga ana e një pjesëtari të policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it. Sipas gjykatës, ishte vërtetuar se askush nga pjesëtarët e EULEX-it nuk kishte qenë i involvuar as në lidhje me çekiçin e as në lidhje me marrjen në pyetje të dëshmitarit të pretenduar të mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata nuk ia fali besimin mbrojtjes së të akuzuarit Retkoceri, ngase konsideroi se i akuzuari ka për qëllim që me një mbrojtje të tillë të shmanget nga përgjegjësia penale, e nuk e thotë të vërtetën. E këtë bindje e vërteton fakti se në veturën Golf II të konfiskuar nga Gëzim Retkoceri në autoservisin e tij ishin  marrë njolla të gjakut të cilat iu ishin bërë profilet e ADN-së dhe të cilat rezultuan se i përkasin tani të ndjerit Hajrizi, fija e barit e gjetur po në këtë veturë, e që pas analizës ka rezultuar s është e njëjtë me fijen e barit ku ishte gjetur trup i pajetë i tani të ndjerit, ngjyrosja e bagazhit të kësaj veture me ngjyrë të zezë, pjesa e batanijes që ishte gjetur në vendin ku kishte qenë trupi i të ndjerit e që ka rezultuar identike me ato të cilat ishin gjetur në autoservisin Cali, teli më të cilin kishte qenë i lidhur tani i ndjeri në duar dhe këmbë që identik është gjetur edhe në autoservisin e të akuzuarit Gëzim, siç ishin gjetur edhe qeset e najlonit që tani i ndjeri e ka pasur të vendosur në kokë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i tij dhe provat e tjera të cekura më lartë”, thuhet në arsyetimin e kësaj gjykate.

Ndërsa në lidhje më të akuzuarin e dytë Osman Spahiu i cili e kishte pranuar në tërësi fajësinë për veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasja e rëndë”, gjykata kishte bërë vlerësimin e pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit Spahiu dhe kishte vlerësuar se aktakuza pas këtij ri cilësimin nuk përmbante shkelje të qarta ligjore ose gabime faktike.

“Gjykata gjeti se në veprimet e të akuzuarit Retkoceri ekzistojnë të gjitha tiparet objektive dhe subjektive të veprës penale “vrasja e rëndë” dhe se me rastin e marrjes së llojit dhe lartësisë së dënimit për të akuzuarit Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu, gjykata pasi vlerësoi rrethanat gjeti si rrethanë lehtësuese për të akuzuarin Gëzim moshën e tij kur ishte kryer vepra penale relativisht i ri, se është i martuar dhe baba i dy fëmijëve, se më parë nuk ka qenë i dënuar, ndaj tij nuk zhvillohet procedurë tjetër penale, ndërsa si rrethanë renduese gjykata pati parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën e kryerjes së veprës penale, faktin se së pari i ndjeri është goditur me mjet të fortë në kokë, ju shkaktuar lëndime vdekjeprurëse e më pas u dogj përderisa ende ishte me shenja jete dhe faktin se kanë privuar nga jeta një person të moshës relativisht të re. Ndërsa për të akuzuarin Spahiu, si rrethanë renduese mori parasysh peshën e rëndë të veprës penale dhe mënyrën e kryerjes. Në rastin e shqiptimit të dënimit gjykata është e bindur se edhe më një dënim të tillë do të arrihet qëllimi i përgjithshëm i justifikueshëm, në përshtatje me rrethanat e kryerjes, rrezikshmërinë e saj dhe autorët e saj, që do të shërbej në parandalimin e kryesve nga kryerja e veprave penale në të ardhmen si dhe do të arrihet qëllimi që ti përmbaj personat e tjerë nga kryerja e veprës penale”, thuhet në arsyetim të këtij aktgjykimi.

Në dënimin e shqiptuar gjykata kishte llogaritur edhe kohen e kaluar në paraburgim, për të akuzuarin Retkoceri na 30 prilli 2009, ndërsa për Spahiun nga 12 maji 2009 e deri me 21 janar 2020./BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi