Për herë të tretë i pafajshëm për pjesëmarrje në luftërat e Sirise
Sharr Travel

Për herë të tretë i pafajshëm për pjesëmarrje në luftërat e Sirise

Më 19 shkurt 2020, për të tretën herë, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur të pafajshëm të akuzuarin për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, Leunis Frangu.

Aktgjykimi ishte shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, sipas të cilit nuk ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se akuzuari e ka kryer veprën penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Frangut e kishte ngritur më 25 shkurt 2016, me pretendimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës (KPK).

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurori Faik Halili, Frangu pas marrëveshjes paraprake me Blerim Sylën, më 3 nëntor 2014 përmes aeroportit të Prishtinës kishin shkuar në Turqi, ku nga Stambolli thuhet se kishin shkuar së pari në qytetin turk Hatay, e nga atje në një qytet tjetër të Turqisë afër kufirit të Sirisë, me emrin Rehyanli.

Ata pretendohet se kishin kaluar kufirin nga qyteti i përmendur dhe kishin hyrë në Siri ku iu ishin bashkëngjit organizatës terroriste “ISIS”, ndërsa pas qëndrimit një kohë të gjatë në Siri përmes kufirit në Han të Elezit ishin kthyer në Kosovë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të parë, më 27 shkurt 2016, të akuzuarin Frangu, e kishte liruar nga akuza për terrorizëm, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, duke e kthyer rastin në rigjykim, pasi kishte konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë fakte vendimtare kur kishte marrë aktgjykim lirues.

Apeli, kishte konstatuar se aktgjykimi ishte në kundërshtim me vetveten pasi sipas saj, shkalla e parë nuk e kishte kontestuese se i akuzuari ka qenë në Siri, por lirimin e të akuzuarit e kishte bazuar në atë se nuk dihej se cilës organizatë terroriste i ka takuar Frangu.

Mirëpo, edhe pas kthimit të lëndës në rigjykim, gjykata e shkallës së parë, përsëri me 8 janar 2019, e kishte liruar Frangun nga akuza për terrorizëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Beqir Kalludra, në arsyetimin e shkurtër të këtij aktgjykimi, kishte thënë se nuk ishte kontestuese që i akuzuari Frangu kishte shkuar në Siri, por sipas tij, nuk ishte vërtetuar elementi qenësor i veprës që i akuzuari kishte qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist.

Sipas tij, prokuroria nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme që i akuzuari të shpallet fajtor dhe se në kohën kur pretendohet se i akuzuari kishte kryer veprën penale nuk kishte qenë në fuqi ligji i cili tashmë sanksion edhe shkuarjen në Siri.

Pasi Frangu për herë të dytë ishte liruar nga akuza, PSRK përsëri kishte parashtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit, e cila më 25 nëntor 2019, e kishte kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet të eliminonte të gjitha paqartësitë, në lidhje me atë se cila ishte arsyeja e udhëtimit të të akuzuarit në Siri, nëse ai nuk i ishte bashkëngjitur ndonjë grupi terrorist, sepse sipas Apelit, ai 15-17 ditë kishte ushtruar dhe ishte armatosur.

Sipas aktgjykimit me anë të së cilit për herë të tretë i akuzuari është liruar, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, nga dëshmia e dëshmitarit A-2 dhe nga leximi i deklaratës së dëshmitarit B.S. dhënë në Polici, është vërtetuar fakti se i akuzuari  vërtetë ka qenë në Siri, ka qenë i uniformuar me siguri ka qenë pjesëtar i një formacioni, dhe po ashtu ka bartur edhe armë dhe sipas të dy dëshmitarëve, i njëjti ka bërë roje në vendin e caktuar, në qytetin Azaz të Sirisë.

“Për gjykatën kjo rrethanë ka qenë bindshëm e vërtetuar për faktin se edhe dëshmitari i mbrojtur A-2, edhe dëshmia e dëshmitarit B.S. e dhënë në polici, përputhen në mënyrë të plotë njëra me tjetrën lidhur me të gjitha këto rrethana që kanë të bëjnë me shkuarjen dhe qëndrimin e të akuzuarit L. në Siri”, thuhet në aktgjykim.

Mirëpo, thuhet se që të dy dëshmitarët asnjëherë nuk e kanë emërtuar a përmendur emrin e ndonjë formacioni apo grupit terrorist, përveç faktit se të dy dëshmitarët po thuajse në mënyre identike kanë deklaruar se nuk kanë njohuri për formacionin në të cilin ka qenë pjesëmarrës i akuzuari.

Sipas aktgjykimit, ata po ashtu kanë deklaruar se grupet në të cilat këta dy dëshmitarë kanë qenë pjesëmarrës, nuk kanë qenë në konflikt me grupin ku ka vepruar i akuzuari  përkatësisht ku i njëjti ka bërë roje dhe po ashtu të dy dëshmitarët kanë deklaruar se, në kohën kur të njëjtët kanë qenë në Siri, nuk janë specifikuar emrat e këtyre formacioneve ushtarake dhe se sipas njohurive të tyre dëshmitarët kanë deklaruar se kanë qenë pjesëtarë të ushtrisë së lirë siriane, formacion ky i cili e ka luftuar regjimin e Asadit.

“Ndërkaq, sipas dispozitës ligjore, për t’u kryer kjo vepër duhet që personi të jetë anëtarësuar ose të ketë marrë pjesë në veprimtaritë e grupit terrorist, që ai grup të jetë i strukturuar, të ketë plan përgatitor dhe planifikim të akteve terroriste. Derisa, sipas dispozitës ligjore të nenit 135 par.4 të të njëjtit Kod, shprehja ’’grup terrorist’’ nënkupton grupin e strukturuar prej më shumë se dy personave që ekziston për një periudhë kohore dhe i cili bashkëvepron në bashkëpunim për kryerjen e terrorizmit. Ndërkaq, ’’grup i strukturuar’’, nënkupton grup që nuk është formuar rastësisht për kryerjen e menjëhershme të një vepre, dhe i cili nuk ka nevojë të ketë role formalisht të përcaktuara për anëtarët e tij në vazhdimësinë e anëtarësisë ose strukturë të ndërtuar”, thotë aktgjykimi.

Nga dëshmitë e këtyre dëshmitarëve, thuhet se rezulton fakti se i akuzuari paska marrë pjesë në një formacion që nuk ka qenë në konflikt me ushtrinë e lirë siriane, e që nuk i dihet emri, as struktura, as organizimi, as cilësimi si formacion apo grup terrorist i shpallur nga ndonjë organizatë ndërkombëtare, dhe bazuar në një gjendje të tillë të fakteve, gjykata nuk ka mund ta vërtetoj faktin se i akuzuari ka marrë pjesë në veprimtaritë e ndonjë grupi terrorist të shpallur nga organizata ndërkombëtare, siç janë Al-Nusra dhe ISIS, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po ashtu, kjo rrethanë vërtetohet edhe nga vet përfaqësuesi i aktakuzës, ku në fjalën përfundimtare, prokurori i shtetit ka deklaruar se i akuzuari ka filluar të shërbejë si ’’roje për grupacionet e caktuara paramilitare ose militare në Siri’’, pra pa e specifikue dhe precizue saktësishtë se për cilin formacion a grup terrorist është fjala, se këto grupacione të caktuara paramilitare ose militare a janë grupe terroriste, e që kemi të bëjmë me elementin cilësues të veprimeve inkriminuese të të akuzuarit, dhe në mungesë të këtyre elementeve qenësore të kësaj vepre penale, gjykata nuk ka mundur ta përcaktoj as emrin e as veprimtarinë e atij grupi apo formacioni ku ka marrë pjesë i akuzuari, dhe nga kjo gjendje e pa vërtetuar nuk mund të konstatohet fakti se i akuzuari L.F. ka marrur pjesë në veprimtaritë e ndonjë grupi terrorist në Siri”, thotë aktgjykimi.

Sipas gjykatës, bazuar në provat  e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar dhe provuar asnjëri nga faktet vendimtare të cilat dëshmojnë dhe provojnë ekzistimin e elementit qenësor të pjesëmarrjes në një grup terrorist, element ky qenësor i figurës së veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.

“Gjykata, përveç që ka konstatuar faktin se jo vetëm përmbajtja e provave të nxjerrura në shqyrtimin gjyqësor nuk kanë arrit ta vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë për kryerjen e kësaj vepre penale nga i akuzuari, por analizuar dhe vlerësuar edhe nga aspekti formal i këtyre provave, vetëm në bazë të këtyre dy provave, i akuzuari nuk mund të shpallet fajtor, bazuar në nenin 262 par. 1 dhe 3 të KPPRK-së”, thuhet në aktgjykim.

Në aktgjykim thuhet se, sipas kësaj dispozite ligjore të nenit 262 paragrafi 1 të KPPRK-së, gjykata nuk mund ta shpall të akuzuarin fajtor, duke i dhënë rëndësi vendimtare një prove e cila nuk mund të kundërshtohet nga i pandehuri apo mbrojtësi i tij, përmes marrjes në pyetje gjatë ndonjë faze të procedurës penale, e që në rastin konkret kemi të bëjmë me deklaratën e dëshmitarit B.S., ku mbrojtja e të akuzuarit nuk ka qenë e pranishme me rastin e marrjes në pyetje nga Policia e Kosovës këtë dëshmitar.

“Po ashtu, Gjykata nuk mund ta shpall fajtor të akuzuarin vetëm në një deklaratë nga një dëshmitar, identiteti i të cilit është i panjohur për mbrojtësin dhe të akuzuarin, pra në rastin e dytë kemi të bëjmë me dëshmitarin e mbrojtur A-2, identiteti i të cilit është i panjohur për mbrojtësin dhe të akuzuarin”, thotë aktgjykimi në vijim.

Gjithashtu, thuhet se kjo gjykatë i ka shqyrtuar edhe vërejtjet e Gjykatës së Apelit, si në faqen 2 të aktvendimit, dhe vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qarta dhe konkrete për secilin fakt dhe secilën provë që e ka administruar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Si dhe në mënyrë të qartë dhe të plotë ka dhënë arsyet në të cilat është bazuar me rastin e vendosjes në këtë çështje penale, dhe se kjo Gjykatë, nuk ka nxjerrë asgjë nga kontesti i fjalive të asnjërës palë në procedurë, dhe se arsyetimi se prokurori i PSRK-së në fjalën përfundimtare ka qëndruar në tërësi pranë aktit akuzues, kjo për gjykatën e shkallës së parë është absolutisht irelevante, nga se fajësinë e të akuzuarit e vlerëson gjykata e jo prokuroria, kjo edhe për faktin se asnjëri nga dëshmitarit dhe i akuzuari nuk kanë thënë për ‘’’pjesëmarrjen e të akuzuarit në organizatë terroriste’’, dhe bazuar në një gjendje të tillë të fakteve, gjykata e shkallës së parë vlerëson se nuk ka nxjerrë nga kontesti asgjë, por ka vlerësuar drejtë dhe qartë fjalën përfundimtare të prokurorit dhe ka dhënë arsye të qarta dhe konkrete me rastin e vlerësimit të fjalës përfundimtare të prokurorit”, thotë tutje aktgjykimi.

Sipas aktgjykimit, duhet ditur edhe një fakt se fjala përfundimtare e prokurorit nuk është provë që duhet vlerësuar gjykata, por është një këndvështrimi i palës lidhur me vlerësimin e provave të nxjerra gjatë shqyrtimit gjyqësor, e që ky vlerësim nuk paraqet asnjë detyrim për gjykatën me rastin e vendosjes së një çështje penale.

“Gjithashtu, kjo Gjykatë i ka shqyrtue edhe vërejtjet e Gjykatës së Apelit, si në faqen 3 të aktvendimit, dhe gjykata e shkallës së parë vlerëson se në kohën kur dyshohet se është kryer kjo vepër penale, nuk ka qenë në fuqi ligji i cili e ka sanksionue vetëm pjesëmarrjen në luftërat a konfliktet e jashtme, dhe po ashtu vlerëson se mos emërtimi i grupacionit të caktuar, është element qenësor i figurës së kësaj vepre penale, dhe në momentin kur Gjykata e Apelit ka konstatuar faktin si në paragrafin e parë të faqes së tretë se ’’… e në rastin konkret edhe i akuzuari L. ka kryer vepër penale në momentin që është bashkangjitur grupeve paramilitare ushtarake të formuara jashtë konventave ndërkombëtare, që kanë qenë në mënyrë direkte të lidhura me organizatën ISIS…’’, (fakte këto të pa provuara sipas vlerësimit të gjykatës së shkallës së parë), Gjykata e Apelit ka pasë tagër që të akuzuarin bazuar në një gjendje të tillë të vlerësuar të fakteve, edhe ta shpall fajtor, duke u nisur nga fakti se gjykata e shkallës së dytë ka të drejtë ta ndryshoj vendimin e gjykatës së shkallës së parë, bazuar në nenin 398 par. 1 pika 1.4 të KPRK-së”, thuhet në aktgjykim. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi