Paraburgim për të dyshuarin që mashtroi për furnizim me dezinfektues
Sharr Travel

Paraburgim për të dyshuarin që mashtroi për furnizim me dezinfektues

Gjykata Themelore në Prishtinë, të dielën, ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit SH.D, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “mashtrim”, “mashtrim i blerësve” dhe “mashtrim i konsumatorëve”.

Në komunikatën për media të kësaj gjykate, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e kësaj mase në kohëzgjatje prej 1 muaji.

“Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, për shkak se ekziston rreziku i ikjes ngase i pandehuri SH.D. kishte ardhur nga Norvegjia dhe i njëjti me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale mund të kthehet përsëri në Norvegji dhe të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Po ashtu, sipas gjykatës ekzistonte edhe rreziku që i pandehuri të arratiset për shkak se ekzistonte një përfitim i kundërligjshëm dhe dëm i madh pasuror, duke pasur parasysh se vepra kishte ndodhur në kohën e pandemisë, me ç ‘rast  KEK-u, duke u munduar të mbrohet nga pandemia, ishte mashtruar nga ana e të pandehurit, ku sipas gjykatës, edhe punëtorët e KEK-ut kishin mundur të rrezikohen dhe të infektohen me virusin Covid-19 për shkak të cilësisë së produktit.

Ndryshe, i pandehuri SH.D. në emër të kompanisë së tij, me datë 27 mars 2020 kishte nënshkruar kontratë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për furnizim me maska higjienike dhe dezinfektues, të cilit produkt pas analizave që i ishin bërë nga laboratori i Doganës së Kosovës, kishte rezultuar se i njëjti kishte mashtruar për cilësinë dhe kualitetin e dezinfektuesit. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi