Rrahmani shpreson që ndeshja me Maqedoninë e Veriut të luhet me tifozë
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani ka thënë se Dardanët po e presin me padurim ndeshjen gjysmëfinale të “play-off”-it për Europian kundër Maqedonisë së Veriut.
“Ndeshjen me Maqedoninë e Veriut e kemi pritur gjatë, ndoshta tash edhe është stërgjatur. Kemi qenë të gatshëm edhe në mars, po edhe në qershor. Megjithatë, ndoshta më mirë që s’ndodhi në qershor që të luhet pa tifozë. Shpresoj që në tetor ose nëntor, kurdo që vendoset të luhet do të ketë tifozë, pasi është një prej ndeshje më të rëndësishme për ne deri më tash”, ka theksuar Rrahmani në emisionin “Natën me Fatmir Spahiun” në RTK.
Ai tutje ka treguar se tash e 7 ditë është duke stërvitur me ekipin e Veronës në grupe të vogla, derisa është shprehur i lumtur që ka nënshkruar për Napolin dhe në edicionin e ri do të jetë pjesë e napolitanëve. Rrahmani ka thënë se nëse gjithçka shkon mirë te Napoli, atëherë gjasat janë të mëdha që në një të ardhme të jetë pjesë e ndonjë klubi të madh anglez.























