Reali e kërkon prej kohësh, një tjetër gjigant në garë për Haaland
Nuk është hera e parë që Reali i Madridit dhe PSG sfidojnë njëri-tjetrin në merkato dhe këtë herë rivalizohen për sulmuesin Erling Haaland.
Logjike, sepse po flasim për dy nga klubet më të fuqishme të Evropës. Të dyja skuadrat kanë raport të mirë me njëra-tjetrën dhe lojtarët respektivë kanë ndryshuar fanellën, si Hese, Kejlor Navas apo Areola.
Në verën e vitit 2017 u sfiduan për Mbappe-n, i cili firmosi për ekipin francez. Por ai emër kurrë nuk u largua nga mendja e madrilenëve, të cilët vazhdojnë ta duan edhe sot. Gjatë kësaj kohe ka pasur tentativa nga ana e Realit për ta transferuar Mbappe-n, por ky transferim mund të shtyhet për vitet e ardhshme sepse për momentin nuk e lejon kriza që ka shkaktuar Koronavirusi.
Lajmi i fundit nga Spanja zbulon një tjetër intrigë në merkato, e cila lidhet me Haalandin.
PSG-ja po mendon seriozisht që të transferojë lojtarin norvegjez, i cili po shkëlqen te Dortmundi. Drejtuesit e francezëve e quajnë një çështje të mbyllur rinovimin e Mbappe-s dhe duan të gjejnë zëvendësimin e tyre.
Mbappe kërkon rrogë shumë të lartë dhe ka interes që të transferohet në Madrid, prandaj të gjendur përballë kësaj situate francezët kanë vendosur të shqetësojnë Realin për Haalandin.
Tani mbetet për t’u parë se cilin nga dy sulmuesit do të preferojë trajneri Zinedine Zidane.























