Sonte derbi gjerman, B. Dortmund - Bayern
BKT
Sport

Sonte derbi gjerman, B. Dortmund - Bayern

Dy muaj më vonë nga periudha e planifikuar fillimisht në kalendar në Bundesligë është koha për të ndjekur klasiken e kampionatit gjerman Borussia Dortmund–Bayern Munich, ndeshje që me shumë gjasa do të ndikojë ndjeshëm edhe në rivalitetin e ashpër për titull.

Dy muaj kaluan shpejt dhe pa humbur kohë skuadrat në Bundesligë hynë në ritmin e tyre të zakonshëm, megjithëse për hir të së vërtetës shumë gjëra kanë ndryshuar dhe ndeshjet në mënyrë të kuptueshme po zhvillohen me dyer të mbyllura dhe pa praninë e spektatorëve. Gjermania është një ndër vendet që e ka përballuar më mirë situatën e pandemisë së koronavirusit, sidoqoftë në futboll edhe pas rifillimit gjërat janë pak a shumë aty ku ishin dhe në krye është ruajtur e njëjta hierarki, me këto dy ekipe që janë shkëputur disi kundrejt skuadrave të tjera që ndjekin nga pas.

Të dy ekipet paraqiten në këtë duel pasi kanë fituar ndeshjet respektive, që kanë zhvilluar në dy javët e fundit të kampionatit gjerman. Më mirë kanë dalë ndoshta “verdhezinjtë”, që pavarësisht kalendarit më të vështirë ia kanë dalë mbanë për të mposhtur Schalke-n dhe Wolfsburg-un, dy kundërshtarë të fortë në letër, për më tepër pa pësuar as gol. Edhe “të kuqtë” mund të ishin në statistika të tilla, për më tepër u ndeshën me dy skuadra që pozicionohen në gjysmën e dytë të tabelës së renditjes, gjithsesi diferencën për momentin e bëjnë dy golat e shënuar nga qendërmbrojtësi austriak Martin Hinteregger në fillimin e pjesës së dytë, brenda në Allianz Arena, në sfidën me “shqiponjat” e Eintracht-it. Si “verdhezinjtë” ashtu edhe “të kuqtë” zbresin në fushë pas ecurive vërtet shumë të mira, që për rrjedhojë i kanë sjellë edhe deri në këtë pikë. Kështu Dortmundi numëron 9 fitore në 10 sfidat e fundit, por gjithsesi diferencën e ka bërë padyshim sulmuesi i ri norvegjez, 19-vjecari tepër i talentuar Erling Haaland, që u afrua në gjirin e ekipit në muajin janar.

Që tani adoleshenti nordik numëron 10 gola dhe pozicionohet në vendin e 12, vetëm një shkallë poshtë kapitenit të skuadrës Marco Reuss, që vazhon të mbetet jashtë fushave të lojës për arsye dëmtimi. Sidoqoftë në këtë aspekt sulmuesi më i mirë i kampionatit është natyrisht Robert Lewandowski. Futbollisti i përfaqësueses polake vijon të shënojë rregullisht dhe për momentin 31-vjecari nga Varshava numëron 27 gola, afërsisht dyfishin krahasuar me golashënuesin më të mirë të Borussias 20-vjecarin anglez Jadon Sancho, që krenohet me 14 gola dhe 16 asist.

Pavarësisht problemeve në startin e kampionatit drejtuesit patën kurajon për të ndryshuar, duke i besuar ekipin në fillimin e muajit nëntor trajnerit të ri Hans–Dieter–Flick, e për rrjedhojë pas disfatave radhazi me Leverkusenin dhe Gladbahun kampionët në fuqi numërojnë plot 12 fitore në 13 ndeshjet e fundit në kampionat. 55-vjecari Hansi Flick nuk do të ketë sërish në dispozicion emra të rëndësishëm si Coutinho, Sule e Tolisso, ndërsa mesfushori Thiago Alcantara është në dyshim për shkak të problemeve fizike. Në krahun tjetër trajneri Lucien Favre nuk mund të mbështetet dot te lojtarë të tillë si Marco Reus e Nico Schultz, ndërkaq në dyshim mbeten Mats Hummels e Axel Witsel.

Në fillimin e muajit gusht pikërisht në Westfalen Stadion Borussia e Dortmundit e mundi Bayern Munich 2-0 në Superkupën e Gjermanisë, ndërsa në kampionat në fazën e parë, pikërisht në ndeshjen e dytë të trajnerit Flick në drejtimin e kampionëve në fuqi, ekipi bavarez i shpartalloi “verdhezinjtë” me rezultatin e thellë 4-0, ku dy gola i realizoi pikërisht ish-sulmuesi i Borusias Robert Lewandowski. Kampionët në fuqi kryesojnë me vetëm 4 pikë avantazh kundrejt Borusias, gjithsesi deri në përfundim mbeten për t’u luajtur edhe plot shtatë javë dhe këto skuadra do të kenë edhe impenjime të tjera të vështira deri në mbylljen e sezonit. Takimi do të zhvillohet në orën 18:30 në Stadiumin Signal–Iduna–Park, impiant ku ekipi bavarez është mundur në dy vizitat e fundit.