Apeli vërteton dënimin ndaj të akuzuarit që pranoi se ishte pjesë e ISIS-it
Sharr Travel

Apeli vërteton dënimin ndaj të akuzuarit që pranoi se ishte pjesë e ISIS-it

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e nxjerrë në shkallë të parë ndaj Agon Misinit, i akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje ne grupin terrorist, por atë e ka ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 2 dhjetor 2019, e kishte dënuar me katër vjet burgim Agon Misinin, për pjesëmarrje në grup terrorist, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që ankesën e mbrojtjes ta aprovojë pjesërisht, ndërsa atë të prokurorisë e ka refuzuar si të pabazuar.

Në vendimin e Apelit, të nxjerrë më 14 shkurt 2020, thuhet se kjo gjykatë ka ndryshuar vendimin në shkallë të parë vetëm sa i përket cilësimit juridik, bazuar në kodin penal qe ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

“Gjykata e Apelit e ka ndryshuar vendimin e gjykatës së shkalles së parë vetëm për sa i përket cilësimit juridik të veprës penale, kjo për shkakun se gjykata e shkallës së parë, por edhe Prokuroria në Aktakuzë të akuzuarin e ngarkonin me veprën penale, të Organizimit dhe Pjesëmarrjes në Grup Terrorist, nga neni 136 paragrafi 2, vepër kjo që është e sanksionuar sipas Kodit Penal i cili është miratuar me datë 14.01.2019. I akuzuari akuzohet se kishte ndërmarrë veprimin inkriminues me datë 24.07.2015, pra kjo është edhe koha e kryerjes së veprës penale, e që në fuqi ishte Kodi Penal me nr. 04/L082, (i cili kishte hyrë në fuqi me datë 01.01.2013 dhe ishte gjer me datë 14.01.2019).”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në arsyetimin e këtij vendimi, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Apeli ka analizuar inkriminimin e kësaj vepre penale në raport me dy kodet penale, por që nuk ka rezultuar se kodi i ri është më i favorshëm për të akuzuarin.

“Megjithatë Gjykata e Apelit duke analizuar inkriminimin e kësaj vepre penale në raport me dy kodet pra me atë që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale e që ishte e sanksionuar në nenin 143, ndërsa në Kodin e ri Penal qe është në fuqi e njëjta është e sanksionuar në nenin 136, nuk rezulton se kodi i ri është më i favorshëm për të akuzuarin pasi që dënimi është i njëjti por edhe dispozitat tjera të përgjithshme nuk rezultojnë të jenë më të favorshme në kodin e ri, andaj për këto arsye edhe ka bërë ri cilësimin e veprës vetëm në raport me parimin e zbatimit të ligjit penal në kontekst kohor të kryerjes së veprës penale”, thuhet në vendimin e kësaj gjykate.

Po ashtu, bazuar në këtë vendim, rezulton se Apeli e ka vlerësuar si të bazuar pretendimin e mbrojtjes se të akuzuarit Misini nuk i është llogaritur koha e ndalimit në një shtet tjetër në dënimin e shqiptuar.

“Fillimisht, Gjykata vëren se si në aktakuzë e po ashtu edhe në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë rezulton konstatimi si pjesë e rrethanave të fakteve se i akuzuari A.M. me datë 26.07.2017 është arrestuar nga forcat kurde, ku ka qëndruar gjer me dt. 19.04.2019. Po ashtu, nga provat e kësaj çështje penale rezulton se për këtë të akuzuar ishte urdhëruar arrestimi i tij nga gjykata e shkallës së parë, e më pastaj ishte urdhëruar edhe letër rreshtimi ndërkombëtar, krejt këto veprime për shkak se i njëjti tashmë dihej nga institucionet ligj zbatuese se ishte pjesë e grupit terrorist ISIS. Andaj, për të gjitha këto arsye Gjykata e Apelit vlerëson se kjo kohë e ndalimit ndaj të akuzuarit duhet ti llogaritet në dënimin e shqiptuar, sepse kemi të bëjmë me veprën penale të njëjtë, përkatësisht me veprimet inkriminuese të njëjta, për të cilat është shpallur fajtor nga gjykata e shkallës së parë, andaj edhe e ka bërë ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Ndërsa, Apeli ka vlerësuar si të pabazuara pretendimet e prokurorisë për një dënim më të lartë ndaj të akuzuarit, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë ka aplikuar dënimin nën minimumin e paraparë ligjore, por se ajo zbutje ishte në përputhje me dispozitat ligjore për zbutjen e dënimit.

“Kjo gjykatë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka aplikuar dënimin nën minimumin e paraparë ligjore, por ajo zbutje është në përputhje me dispozitat ligjore për zbutjen e dënimit. Kjo gjykatë ka parasysh se rrethanat lehtësuese dhe rrethanat rënduese në rastin konkret janë vlerësuar drejt nga gjykata e shkallës së parë dhe edhe kjo gjykatë është e bindur se me dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarit do të arrihet qëllimi i dënimit, e që do të rezultojë në risocializimin e të akuzuarit, preventivën gjeneralë dhe individuale, por do të shprehet edhe gjykimi i përgjithshëm shoqëror për veprimet e kundërligjshme e po ashtu do të ngrit moralin dhe forcimin e detyrimit shoqëror për respektimin e ligjit”, thuhet tutje në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 7 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Agon Misini, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 136 paragrafi 2 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale pretendon se i akuzuari Agon Misini, më 24 korrik 2015, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka shkuar në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe ka kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste ISIS, e më pastaj në kohë të pavërtetuar të muajit gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar në emër të një personi nga Shkupi përmes Greqisë, ka udhëtuar me autobus për në Stamboll, nga aty ka shkuar në kufi të shtetit të Sirisë.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari Misini me të arritur në Siri i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, ku pas trajnimeve taktike dhe luftarake ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë ku edhe më 26 korrik 2017, është arrestuar nga forcat kurde, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi