E dhimbshme! Koronavirusi i merr jetën futbollistit 25-vjeçar
Sharr Travel

E dhimbshme! Koronavirusi i merr jetën futbollistit 25-vjeçar

Deibert Frans Roman Guzmán bëhet futbollisti i parë, që vdes nga COVID-19. Boliviani, 25 vjeç, aktualisht në radhët e klubit universitar Beni, vdiq në fillim të kësaj jave, duke e humbur luftën me Koronavirus, siç konfirmohet nga burime federale.

Tragjedia është vërtet e madhe, pasi edhe babai e xhaxhai i tij, me të cilët ndante vendbanimin, kishin vdekur për shkak të kësaj sëmundjeje.

Guzmán bëri karrierë në kategoritë e ulëta të ekipit bolivian dhe ishte afër nënshkrimit me Nacional Potosí.

Sipas raporteve të shtypit lokal, futbollisti jetonte në lagjen Paititi, bashkë me babanë e tij, Belisario Roman, ish-presidentin e klubit, dhe xhaxhanë. Luis Carmelo Román, menaxher i Deportivo Perejique, gjithashtu vdiq nga kjo sëmundje.

“Federata Boliviane e Futbollit shpreh ngushëllimet e sinqerta për miqtë dhe familjen e Deibert Roman Guzmán. Ne i kërkojmë Zotit t’iu japë forcë familjarëve e të afërmve në këtë periudhë të vështirë”, – shkroi Angel Suárez, presidenti i Federatës Boliviane të Futbollit, përmes një postimi në rrjetet sociale.