​Shqyrtohet karantinimi i disa komunave në Maqedoninë e Veriut
Sharr Travel

​Shqyrtohet karantinimi i disa komunave në Maqedoninë e Veriut

Komisioni i Sëmundjeve Infektive ka diskutuar për kthimin e masave shtrënguese në Shkup dhe disa qytete të tjera.

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë Veriore, Venko Filipçe thotë se në kuadër të masave, disa komuna në Shkup mund edhe të vendosen në karantinë.

“Qëndrimi i përbashkët ishte të pritet edhe 2-3 ditët e ardhshme se më pas do të merret vendim. Konstatuam se Ministria e Shëndetësisë duhet t’i zbatojë më shumë masat në fuqi, ndërkaq me kthimin e masave kufizuese nënkuptojmë ndalimin e lëvizjes apo karantinën për disa pjesë ku ka më shumë të infektuar dhe fuqizimin e orës policore përsëri aty ku konstatohet nevoja”, tha Filipçe.

Udhëheqësi i Shtabit Qendror të Krizës, Bujar Osmani ka deklaruar se në shtab nuk është hapur tema e kthimit të karantinës apo masave shtrënguese për faktin se rastet e deritanishme pozitive datojnë nga javët kur ora policore ishte në fuqi. Kjo është konstatuar edhe në Komisionin për Sëmundje Infektive javën që lamë pas./AlsatM