Pasiguri për turizmin në Greqi
Sharr Travel

Pasiguri për turizmin në Greqi

Greqia nga dita e hënë ka hapur hotelet për t`i dhënë shtysë turizmit pas disa javëve izolim.

Por rezervimet e pakëta si pasojë e pandemisë i kanë vështirësuar planet e bizneseve vendëse.

I gjendur në këtë situatë, rrjeti i hoteleve "Divani" që operon shtatë pika në vend, këtë fillimjavë hapi vetëm njërën prej tyre, rezortin e "Apollonit" me pamje nga deti pak kilometra nga Athina.

"Sigurisht që kryesorja është që iu kthyem punës, por ka shumë stres dhe pasiguri për të ardhmen, pasi mbyllja tremujore na ka shkaktuar probleme të stërmëdha për sezonin dhe rezervimet e ardhshme."

Për t'iu përmbajtur udhëzimeve të autoriteteve të shëndetit publik dhe për t'i bërë vizitorët të ndjehen më të sigurt, të gjitha dhomat e hotelit pastrohen dhe dezinfektohen kur nuk përdoren.

Përparësi i është procedurave nga interneti për rezervimet, për marrjen me qira të shezlongëve për plazh apo për porositjen e ushqimeve.

Në ditën e parë të hapjes, një breshkë ishte e vetmja vizitore në pishinën e hotelit.

"As në makthet tona nuk do e kishim imagjinuar këtë. Në fillim menduam se masat kundër koronavirusit do kalonin shpejt por me avancimin e gjërave, dhe përkeqësimin më shumë të situatës në shtetet e tjera, problemet tona janë rënduar," tregon Spiros Divanis, drejtori ekzekutiv i hoteleve.

Sipas tij, interesi për turizëm aktualisht është më i madh për muajin shtator ndërsa vera pranohet se ka për të qenë një sezon i vështirë për Greqinë.

Sektori i turizmit kontribuon rreth 20 për qind të prodhimit kombëtar të vendit.

Fluturimet ndërkombëtare në aeroportet e Athinës dhe Selanikut pritet të rinisin nga 15 qershori.

Në këtë datë do rihapen edhe kufijtë tokësorë me shtetet fqinje, mes tyre edhe Shqipëria.


MË SHUME NGA Rajoni