Pushteti në Maqedoni kërkon zgjedhje më 5 korrik, opozita kundër
Sharr Travel

Pushteti në Maqedoni kërkon zgjedhje më 5 korrik, opozita kundër

Që të përmbushen afatet duhet të mbahen zgjedhje parlamentare më 5 korrik, përsëriti mbrëmë kryeministri teknik Oliver Spasovski, ndërsa qëndrim të njëjtë ka edhe zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Kreu i opozitës OBRM-PDUKM, Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, beson se zgjedhjet duhet të zhvillohen vetëm pas përfundimit të epidemisë së koronavirusit.

“Zgjedhjet duhet të mbahen në përputhje me rregullat ligjore dhe në bazë të dekretit qeveritar. Ky dekret i ndërpreu aktivitetet zgjedhore. Pra, kur të mbarojë gjendja e jashtëzakonshme, afatet për zgjedhje do të vazhdojnë dhe mbesin edhe 22 ditë, ndërsa kjo përkon me 5 korrikun si një datë e mundshme. Prandaj, nëse i ndjekim këto fakte, atëherë data e zgjedhjeve është e qartë. Ne kemi nevojë për shtet funksional dhe nëse nuk ka zgjedhje, nuk do të ketë asgjë”, deklaroi kryeministri Oliver Spasovski.

Sipas tij, zgjedhjet do të organizohen në përputhje me protokollet, me kujdes që të ketë një proces zgjedhor të suksesshëm dhe paqësor.

Ndërsa Hristijan Mickoski theksoi se OBRM-PDUKM është e gatshme për dialog dhe pas përfundimit të suksesshëm të pandemisë, mund të flasim për data dhe hapa më specifikë për zgjedhje.

“Nëse nga ky prizëm si person, si qytetar kërkoni përgjigje nga unë, përgjigjja do të ishte: Ju lutemi, le të përpiqemi të shpëtojmë sa më shumë jetë njerëzish dhe të punojmë me qytetarët tanë në protokolle, masa, për t’i mbrojtur ata nga infeksioni i mundshëm i këtij virusi. Le ta përfundojmë së pari këtë, sepse shohim që kanë kaluar tre muaj pas nesh të hedhura në erë, asgjë nuk ndodhi, le ta përfundojmë së pari këtë dhe pastaj terminin e parë të lirë t’i organizojmë ato zgjedhje. Kjo duhet të ndodhë pasi ta luftojmë përfundimisht këtë pandemi”, tha Mickoski.

Eurokomisari për zgjerim Oliver Varhelyi, në konferencë për shtyp porositi se do të kontaktojë me autoritetet e Maqedonisë për garancione se ka kohë të mjaftueshme për fushatë zgjedhore dhe se zgjedhjet do të jenë korrekte.

“E pashë njoftimin e qeverisë se ka për qëllim të mbajë zgjedhje në fillim të korrikut, duhet t’i shikoj detajet, atë që tani për tani mund ta them është se zgjedhjet duhet të jenë korrekte dhe të lira dhe të ketë kohë të mjaftueshme për fushatë, mundësi që partitë të udhëheqin fushatë. Duhet të shohim edhe si kjo mund të implementohet nën rregullat Kovid, do ta hap këtë çështje me autoritetet e Maqedonisë sepse është shumë e rëndësishme të sigurohet se zgjedhjet do të jenë tërësisht korrekte”, tha Varhelyi.