Dështon gjykimi ndaj dy të akuzuarve për shitblerje me narkotikë
BKT
   Betimi për Drejtësi

Dështon gjykimi ndaj dy të akuzuarve për shitblerje me narkotikë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj dy të akuzuarve për shitblerje me narkotikë, Gëzim Ajrullaoviç dhe Armend Idrizi.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë kërkesa e prokurores Shemsije Asllani drejtuar gjykatës, që asaj t’i jepej kohë për korrigjimin e aktit akuzues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Asllani ka njoftuar gjykatën se aktakuza e ngritur duhej plotësuar, duke i ndarë veprimet inkriminuese për secilin të akuzuar në dy dispozitiva të veçantë.

“Kërkoj mirëkuptim nga gjykata dhe palët që të shtyhet kjo seancë, ngase aktakuza që është ngritur duhet të korrigjohet, pasi veprimet e dy të akuzuarve janë futur në një dispozitiv, ndërsa në bazë të dëshmisë së dëshmitarit prezent për këtë vepër penale, ato veprime inkriminuese duhet të jenë të ndara në dy dispozitivë të veçantë” tha prokurorja Asllani.

Pas aprovimit të këtij propozimi, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltën Murseli ka obliguar prokuroren që në afat prej tre ditësh ta dorëzoj aktakuzën e plotësuar dhe ndryshuar.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më datën 12 qershor nga ora 9:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 22 maj 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Gëzim Ajrullaoviç dhe Armend Idrizi, për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 20 mars 2020, rreth orës 17:40, i akuzuari Gëzim Ajrullaoviç, i cili ka qenë nën masës e përgjimit sipas Urdhëresës PPPRK.nr.13/20 të dt. 20 shkurt 2020, së bashku me të akuzuarin Armend Idrizi, me qëllim të shitjes së substancave narkotike, pas dakordimit janë takuar në fshatin Vragoli, në parkingun e pompës së derivateve “Shell Petrol”, në magjistralen Prishtinë-Pejë.

Prokuroria pretendon se aty policia ka arritur që t’xi arrestoj në flagrancë të akuzuarit e lartcekur, ku prezent ka qenë edhe dëshmitari Berat Zymberi, pa arritur që t’ia shesin substancën narkotike, ku në trupin e të akuzuarit Gëzim Ajrullaoviç janë gjetur shtatë qese të llojit marihuanë me peshë prej 7.1 gramë dhe para në vlerë 283 euro, kurse te i akuzuari Armend Idrizi janë gjetur narkotikë të llojit marihuanë me peshë prej 0.2 gramë, të cilët i kishte vozitur dëshmitari-taksisti Bekim Krasniqi, deri në vendin ku janë arrestuar të akuzuarit e lartcekur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas arrestimit është bërë bastisja e shtëpisë së të akuzuarit Gëzim Ajrullaoviç, e gjatë kësaj bastisje janë gjetur një qese substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 648.1 gramë, dy qese (tulla) të llojit hashash me peshë prej 709.1 gramë.

Sipas aktit akuzuese, gjatë bastisjes janë gjetur po ashtu edhe tri peshore, dy prej tyre origjinale dhe një manuale (kanar) dhe një qese najloni e vogël, të cilat shërbejnë për paketim të narkotikëve, të gjitha këto në një çantë sportive, kurse në dhomën tjetër janë gjetur një qese e vogël me narkotikë të llojit marihuanë me peshë prej 0.8 gramë, një tjetër e llojit marihuanë me peshë prej 1.1 gramë, një shufër metalike me mbishkrim “policia” dhe para metalike në vlerë prej 61 euro. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi