Koeman: Të gjithë e dinë se ëndrra ime është të drejtojë Barcelonën
Ronald Koeman ka folur përsëri për dëshirën e tij që të drejtojë Barcelonën.
Selektori i kombëtares së Holandës lidhet tash e disa kohë me stolin e Barcelonës, edhe pas ardhjes së Quique Setien te Barca.
Koeman ka luajtur si lojtar me Barcën, por ëndrra e tij vazhdon të jetë që një ditë të vendoset në krye të stolit të katalanëve.
“Kisha një telefonatë nga Barca, siç e kam shpjeguar disa herë. Por, unë dua të mbaj fjalën me kombëtaren time. Mendova se do të kishim Euro 2020 këtë verë”, ka thënë Koeman, transmeton lajmi.net.
“Jam i lumtur si po ecin punët me kombëtaren, kjo është e rëndësishme. Asnjë nga ne nuk e di çfarë sjell e ardhmja”, ka shtuar holandezi.
“Në kontratën time ka një klauzolë që më lejon të lë kombëtaren për një punë, pas Evropianit, por tani, është koha të mendojmë për Euro. Të gjithë e dinë se ëndrra ime është Barcelona”, ishin fjalët e Koeman.
Quique Setien akoma nuk ka bindur drejtuesit e Barcelonës me taktikat e tij. Ai mund të zëvendësohet lehtë nga Ronald Koeman.























