Lautaro apo Neymar? Barça duhet të gjejë para “kesh”
BKT
Sport

Lautaro apo Neymar? Barça duhet të gjejë para “kesh”

Lautaro apo Neymar, njëri ose tjetri. Të dy janë synime të Barcelonës në merkato, por shumë të vështirë për t’u arritur.

Braziliani është pothuajse i pamundur, edhe më e ndërlikuar situata e argjentinasit. Megjithatë, nga Katalunja insistojnë, të bindur se të dy duan të veshin fanellën “blaugrana”.

Kur njëri venitet në sfond, tjetri fiton kuota dhe kthehet në qendër të vëmendjes. Sot, “El Mundo Deportivo” shkruan se Neymar u ka thënë shokëve më të ngushtë te PSG se dëshiron të përfundojë Championsin dhe të kthehet te Barça.

Në frontin tjetër, në atë që të çon te Lautaro, situata është më e vështirë. Ose më saktë, Interi po reziston fort, duke e bërë të ditur se sulmuesi nuk është në shitje dhe mund të largohet nga Milano vetëm nëse paguhet klauzola 111 milionë euro. Barcelona, në fakt, nuk i ka paratë. Interi, nga ana tjetër, nuk pranon lojtarë në këmbim.

Por nëse nevojiten 111 milionë për Lautaron (dhe arkat e “blaugrana” nuk janë në gjendje të përballojnë disbursimin për momentin), duhen shumë më tepër për brazilianin. Edhe në këtë rast, shkëmbimi me lojtarë të tjerë nuk i bind parizienët.

Nëse Lautaro është i kujdesshëm sa u përket qëndrimeve të tij publike, Neymar në asnjë rast nuk e ka fshehur dëshirën e zjarrtë që e djeg përbrenda për t’u kthyer në “Camp Nou.” Me pak fjalë, njëri ose tjetri dhe mbase, në fund, asnjë prej tyre. Për herë të parë Barcelona mund ta gjejë veten në një situatë të vështirë, duke mos arritur të realizojë të paktën një objektiv të rëndësishëm në tregun e futbollistëve.