Dënohet me kusht i akuzuari për prodhim të narkotikëve
BKT
   Betimi për Drejtësi

Dënohet me kusht i akuzuari për prodhim të narkotikëve

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të martën, e ka dënuar me një vit burgim me kusht të akuzuarin për prodhim të narkotikëve, Jeton Qitaku.

Dënimin me burg i akuzuari nuk do ta mbajë, nëse në afat prej dy viteve nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Krahas kësaj, i pandehuri Qitaku është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Bekim Veliqi, pasi i pandehuri e ka pranuar fajësinë.

Me rastin e marrjes së vendimit, gjykatësi Veliqi  ka thënë se si rrethanë lehtësuese ka konsideruar gjendjen shëndetësore të të pandehurit.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 19 shtator 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Jeton Qitakut, me arsyetimin se në mars të vitit 2014, në fshatin Qitak të Komunës së Skenderajt, pa autorizim, ka kultivuar substancë narkotike të llojit “kanabis sativa”,  ashtu që në pronën e tij në serrë dhe kopsht të shtëpisë, ka mbjell trembëdhjetë bimë të llojit “kanabis sativa” dhe atë në serrë katër bimë, ndërsa në kopsht nëntë bimë, ku është kujdesur duke i ujitur dhe prashitur ashtu që kanë arritur gjatësinë nga 0.15 cm deri në 2.26 cm.

Siç thuhet në aktakuzë,  me 30 qershor 2014,  policia gjatë kontrollimit ka gjetur dhe konfiskuar trembëdhjetë bimë narkotike, ku pas ekzaminimit laboratorik të substancës narkotike-bimore me ngjyrë të gjelbër, nga dëshmitë D#1 deri në 13, ka treguar se është prezent kanabisi (marihuana), që përmban tetrahidrokanabinol (THC), pesha neto e përgjithshme 1.68 gram.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”, nga neni 274 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi