Konfirmohet aktakuza ndaj kryetarit dhe sekretarit të Bashkësisë Islame
BKT
   Betimi për Drejtësi

Konfirmohet aktakuza ndaj kryetarit dhe sekretarit të Bashkësisë Islame

Gjykata Themelore në Pejë e ka konfirmuar aktakuzën për zhvarrosje të paautorizuar të një kufome në varrezat e Pejës, për çka akuzohen kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame (KBI) në Pejë, Musli Arifaj, dhe sekretari i këtij institucioni, Fuad Hoxhaj.

Gjyqtari Murat Hulaj, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, tha se të akuzuarit kishin paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, mirëpo të njëjtën e ka refuzuar si të pabazuar.

Hulaj bëri të ditur se të akuzuarit, aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e kanë atakuar me ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Musli Arifaj dhe Fuad Hoxhaj, në seancën fillestare të mbajtur me 21 janar të këtij viti, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 dhjetor 2018,  Musli Arifaj dhe Fuad Hoxhaj akuzohen se me 3 tetor 2018, në Pejë, në bashkëveprim e kanë zhvarrosur trupin e të ndjerit  T.G, për çka në bashkëveprim e kanë kryer veprën penale “dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 421, paragrafi 1, e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Musli Arifaj, në pozitën e kryetarit KBI-së në Pejë, i ka jep urdhër dëshmitarit Isa Agushi, për zhvarrimin dhe varrimin e të ndjerit në fjalë, me ç’ rast i njëjti i ka kryer këto procedura në prezencën e të akuzuari Fuad Hoxhaj, e të cilat veprime janë kryer pa i respektuar procedurat përkatëse administrative sipas rregullores komunale mbi varrezat, mirëmbajtjen e tyre dhe varrimin e datës 5 tetor 2005. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi